E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush e helmon burimin e jetës

Robert Louis STEVENSON

Përkushtimi pa cak ndaj asaj, që një njeri quan punën e vet, e pengon të bëjë shumë gjëra të tjera të domosdoshme. Dhe nuk është aspak e vërtetë se puna që bën, është më e rëndësishmja gjë që duhet të bëjë. Nën një gjykim të paanshëm, del qartë se pjesët më të mençura, më virtuoze dhe më të dobishme që luhen në Teatrin e Jetës, janë të mbushura me interpretues që luajnë falas dhe gjithë bota i kundron si çaste të kohës së lirë. Sepse në këtë Teatër, jo vetëm regjisori, këngëtarët e violinistët e zellshëm në orkestër, por edhe ata që i shohin dhe i duartrokasin nga karriget, luajnë një rol e përmbushin detyra të rëndësishme në rezultatin e përgjithshëm.

1.
Ju, pa dyshim, jeni të varur nga kujdesi i avokatit tuaj dhe agjentit të bursës, nga rojat dhe sinjalizuesit, të cilët kujdesen që të mos keni probleme nga policët që patrullojnë rrugët për t’ju mbrojtur; mirëpo as e çoni nëpër mend të ndjeni mirënjohje për disa mirëbërës të tjerë, të cilët ju bëjnë t’ju qeshë buza kur i shihni apo që, me shoqërinë e tyre, ua kthejnë drekën në një vakt të gëzueshëm.
Koloneli Newcome ndihmoi që shoku i tij të humbiste paratë; Fred Bayham-i kishte një zakon të keq, merrte këmisha borxh; por ama ata ishin njerëz më të mirë për të ndenjur, sesa zoti Barnes. Edhe Falstaff-i nuk ishte serioz dhe aq i ndershëm, mirëpo unë mund t’ju numëroj nja dy fytyra të zymta barabajsh, pa të cilët bota do të kishte qenë më e mirë.
Hazlitt-i përmend se ndjehej më i detyruar ndaj Northcotee-it, i cili nuk i kishte bërë ndonjë nder, sesa ndaj tërë atyre që e rrethonin dhe hiqeshin si të ditur, ngaqë mendonte se një shok i mirë është, pa mëdyshje, edhe bamirësi më i madh.
E di se ka njerëz në botë, të cilët nuk ta dinë nderin që ju bën, po qe se ty nuk të ka shkaktuar dhembje dhe vështirësi. Por kjo ndodh me ata që janë harbutë.
Dikush mund t’ju dërgojë gjashtë faqe letër të mbushur me anekdotat më zbavitëse ose ju mund të kaloni gjysmë ore të këndshme, ndoshta dhe dobiprurëse, duke lexuar një shkrim të tij. Atëherë, a mendoni se shërbimi që ju bën do të ishte më i madh, nëse gërmat do t’i shkruante me gjakun e zemrës së tij, si të ishte një marrëveshje me djallin? A mos ju shkon vërtet nëpër mend se do ta respektonit bashkëpunëtorin më shumë, nëse ai do t’ju mallkonte gjatë tërë kohës për bezdinë që i shkaktonit?
Kënaqësitë janë më mirëbërëse se detyrat pikërisht ngaqë, ashtu si edhe cilësia e mëshirës, nuk kërkojnë stërmundim, ndaj dhe janë dyfish të bekuara.

2.
Duhen gjithmonë dy që të realizohet puthja dhe çdo gjest e ka një kuptim; por kur ka sakrificë, favori jepet me dhembje dhe mes njerëzish bujarë pranohet me hutim e druajtje.
Nuk ka detyrë më të nënvlerësuar prej nesh sesa lumturia jonë.
Duke qenë të lumtur, ne mbjellim në botë mirësi anonime, të cilat mbeten të panojura, madje edhe për ne vetë; janë mirësi të tilla që, kur dalin në pah, më shumë se të gjithë befasojnë vetë bamirësin.
Një ditë prej ditësh, një fëmijë i reckosur e këmbëzbathur rendte rrugës pas një zari aq i gëzuar, sa cilindo që po kalonte aty pari e solli në humor; një nga këta persona, që u çlirua nga disa mendime më se të zeza, e ndalon vogëlushin, i fal të holla dhe i thotë këto fjalë: “E sheh që nganjëherë fiton vetëm ngaqë dukesh i luntur!” E nëse pak më parë dukej vërtet i lumtur, pak më pas ai do të dukej jo vetëm i lumtur, por edhe i mistifikuar.
Unë për vete justifikoj më tepër këtë kurajim të buzëqeshjes, sesa fëmijët qaramë; nuk dëshiroj të paguaj për lotët përveç atyre që derdhen në skenë; por jam i përgatitur të trajtoj vlerat e anës tjetër të kësaj dukurie.

3.
Është më mirë të hasësh një burrë a grua të luntur, sesa të gjesh një kartëmonedhë pesë paundësh. Ai ose ajo është një fokus rrezatues i dëshirës së mirë dhe hyrjen e tyre në një mjedis, do ta krahasoja me një qiri të ndezur më shumë. Ne nuk duam t’ia dimë nëse e provojmë apo jo formulën e dyzet e shtatë; sepse ata bëjnë diçka më të mirë se kjo, na dëftojnë praktikisht Teoremën e madhe të Aftësisë për ta Jetuar Jetën.
Si rrjedhim, po qe se dikush nuk mund të jetë i lumtur pa ndenjur kot, le të mbetet dembel. Ky është një parim revolucionar; por në sajë të urisë dhe të shtëpisë së punës, askush nuk mund të abuzojë kollaj me të; dhe brenda caqeve praktike, është një nga të vërtetat më të pakundërshtueshme në tërë Trungun e Moralitetit.
Ju lutem, hidhni një sy njërit prej miqve tuaj të zellshëm. Ai mbjell nxitimin dhe korr mostretjen; zhvillon një veprimtari me interes dhe, si këmbim, përfiton një masë të madhe çrregullimesh nervore. Ose vetëmënjanohet tërësisht prej miqësive dhe jeton si oshënar në furrikun e tij, i mbathur me ca papuçe për të shkelur mbi qilim e më një shishe boje shkrimi të mbushur plot; apo mblidhet me njerëz, por vetëm për pak kohë sa për të shkarkuar ca nga acarimi, para se t’ kthehet sërish punës, duke ju lënë atyre një shije të hidhur me sistemin e tij nervor krejt të kontraktuar.
Nuk dua të di sa shumë ose sa mirë e kryen punën e vet ky njeri, kur për jetën e të tjerëve nuk është veçse një shenjë orgurzezë. Ata do të ishin më të lumtur nëse ai nuk do të ishte. Dhe më kollaj do t’ia dilnin në Zyrën e Llafologjisë pa shërbimet e tij, sesa t’ia duronin shpirtin acarues.
Ky njeri e helmon jetën bash aty ku ajo buron. Është më mirë të të katandisë në lypës një nip harrakat, sesa të durosh përditë një xhaxha idhnak e grindavec..

4.
Dhe për çfarë, pash Zotin, bëhet tërë kjo zhurmë e rrëmujë?! Për ç’arsye ata ia nxijnë jetën vetes e të tjerëve?
Nëse dikush boton tre apo tridhjetë shkrime në vit, nëse ai do ta përfundojë ose jo atë pikturën e madhe alegorike, janë çështje të një interesi fare të vogël për botën. Radhët e jetës janë plot; edhe po qe se mijëra bien, do të lindin shumë të tjerë t’i zëvendësojnë. Kur i thanë Jeanne D’Arc-ës se duhej të ishte në shtëpi e të merrej me punë grash, ajo u përgjigj se ka plot gra të tjera për të larë e për të bërë punë shtëpie.
Kështu ndodh edhe me zotësitë e tua të rralla. Kur natyra është “kaq moskokëçarëse për një jetë të vetme”, përse duhet ta përkundim veten në shpresën që e jona është e një rëndësie të veçantë?! Le të mendojmë sikur Shakespeare-i, kur ka qenë çunak, do të goditej në kokë në një natë të errët, bota do të luhatej për më mirë ose më keq, kova do të mbushej po njësoj me ujë në pus, drapëri do të korrte drithë dhe studenti do të studionte libra; dhe askush nuk do të ishte aq i mençur sa të profetizonte për këtë humbje.
Nëse shqyrtoni të gjitha mundësitë, do të shihni se për një njeri me të ardhura të kufizuara, nuk ka shumë vepra në qarkullim që të kenë vlerën e çmimit të një gjysmë kileje duhani. Ky është një reflektim i zymtë për më krenaren e kotësive tokësore. Madje, as shitësi i duhanit, në lidhje me sa u lëvdua më sipër, nuk do të gjente shkak të mjaftueshëm për lavdi të kotë vetjake; sepse megjithëse duhani është një qetësues i admirueshëm, cilësitë e nevojshme për ta shitur nuk janë as të rralla e as të çmueshme në vetvete. Mjerë ne!
Merreni si të doni, por bëmat e asnjë njeriu të vetëm nuk janë të domosdoshme. Edhe Atlasi s’ishte veçse një xhentëlmen me ankth të pambarimtë. Dhe sërish ju shihni tregtarë që punojnë e punojnë, derisa pasurohen e pastaj shkojnë në gjyq ngaqë falimentojnë. Kalemxhinj që shkruajnë pambarim artikuj të kotë, derisa kush qëllon t’i lexojë i bëhen të padurueshëm, siç mund të mendohet se faraoni do t’i urdhëronte izrealitët të bënin një gjilpërë në vend të një piramide; dhe djelmosha të rinj të shkëlqyer, që e çojnë veten në rrënim dhe pastaj përfundojnë në karrocën e varrimit me pupla të bardha mbi të.
A nuk do të mendonit se njerëzve të tillë u është pëshpëritur prej Mjeshtrit të Ceremonive premtimi për një fat të rëndësishëm? Dhe, prapëseprapë, nuk është kështu. Arritjet, për të cilat ata hodhëjn tej rininë e tyre të paçmueshme, për gjithë çfarë mësuan mund të jenë qesharake ose brengosëse; lavdia apo pasuria që presin, mund të mos vijnë kurrë, ose edhe po të vijnë, do t’i gjejë moskokëçarës ndaj tyre; dhe së fundi, ata dhe bota ku rrojnë janë aq të papërfillshëm, sa mendja të ftohet krejt kur e mendon.

25 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›