E Diel, 1 Nëntor 2026

ARNA

Kur binin në shtrat, asaj i pëlqente që ai t’ia lëmonte shpinën, shpatullat, qafën…
- Më fërko pak, të lutem! - belbëzonte ajo.
Ai i vinte dorën mbi këmishën e mëndafshtë të natës. Dora rrëshqiste lehtazi mbi sipërfaqen e shkarrëzuar dhe të shndritshme të cohës.
Ajo kishte një sqimë e kënaqsi të veçantë për veshjen. Vdiste për veshje të bukura dhe elegante, madje edhe të bredshmet i mbante të rrëshqitshme, të bardha, gati të tejdukshme. Ndoshta e kishte të lindur ndjeshmërinë ndaj luksit e komoditetit. Ndoshta edhe të kultivuar herët, se vinte nga një familje qytetare. E kishte gjakim të natyrshëm, të vetvetishëm. Nuk donte të dukej, sesa të ndihej.
Por edhe atij i pëlqente bukuria e brendshme. Mirëpo, kur ndjehej i lodhur dhe i mërzitur, e harronte apo e shmangte ritin e përnatshëm. Ajo i afrohej, e puthte lehtë në cep të buzëve dhe i vinte kokën mbi gjoks. Priste që ai t’ia ledhatonte paksa flokët e kurmin. E kishte të nevojshme. Vetëm kaq i mjaftonte për t’u ndier femër, për t’u shlodhur shpirtërisht, për të komunikuar nëpërmjet dorës së tij, sepse dora për atë ishte pjesa më e ndieshme e kumtimit njerëzor. Dora ndien dhe përçon ndjesi. Dhe kur dora e tij nuk bëhej e gjallë, ajo merrte pranë gjoksit atë dorën e zëmrës, bashkonte pëllëmbën e tij me të sajën dhe puqte dridhshëm gishtat, që flisnin me gjuhën e shpirtit. Atëherë, në amshim, mbyllte qepallat dhe regëtinte:
- Fli, shpirt!
Ai përmendej, zgjaste dorën tjetër me përtesë dhe i fërkonte shpatullat më fort se zakonisht. “Gruaja është si kotelja”, thoshte me vete dhe e lëvizte mekanikisht dorën mbi cohën e freskët. E dinte që ajo nuk ndjente ndonjë kënaqësi, sepse dora ishte e rëndë, e tendosur dhe nuk prekte në mish. Megjithatë, ajo nuk thoshte “mjaft” dhe ai ia shpërblente me një humor të hidhur: “Kur të lodhesh, më thuaj.” Ajo kukuriste mbytur dhe ia kthente: “Më ngadalë, m’i theve kockat.”
Mandej e këqyrte me sytë vezullues ngjyrëkafe te çelët dhe ato ninëzat e zeza të vagëlluara, ku ishte fokusuar gjithë shpirti i saj i qashtër. Afronte fytyrën e hajthme, përçiknin flokët, ballin, buzët fërgëlluese... Ashtu i zinte gjumi i përshpirtshëm.
Një natë, tek e ledhatonte, dora nuk rrëshqiti si zakonisht mbi këmishën e mëndafshtë. Dora u fërkua mbi një cohë fanellate, gjithsesi e butë dhe e ngrohtë, por jofërfëllitëse. Ndoshta, ngaqë lahet dhe ndërrohet për natë, i ka munguar sonte, mendoi. Ai nuk futej në shijet e intimitetet e saj, megjithatë diçka ndieu turbullt brenda tij. Diç i mungonte femërores së saj dhe natës së tyre të magjishme.
Ia hoqi këmishën e pambuktë, sikur i hoqi diçka të huaj dhe trupi i saj i bardhë, i derdhur dhe i njomësht u zbulua me një dritë të brydhtë në terrin e natës. Sqeptoi butësisht me mollzat e gishtrinjve në gjithë kurmin e saj, që fërgëllonte nga kënaqsia e trallisur. Sytë iu pulitën dhe qepallat i dridheshin nga afshi. Mandej trupat cullakë u bënë një, buzët u përthithën dhe llagëmet e gjakut e të epshit u bashkuan.
\Nata ishte plotësisht e tyre. S’donim të fusnim brenda mureve të saj asnjë shqetësim të ditës. U mjaftonte nata, që i bënte të ndjenin e të harronim gjithçka. I këndellte dhe i përtërinte.
Mirëpo një natë… Ajo vuri kokën mbi gjoksin e tij si zakonisht. Atë e dehu aroma e luleve të egra të malit, që përhapnin flokët e saj. Ia ledhatoi butësisht me pëllëmbë flokët ngjyrëmjalti, të përhapura si kurorë gështenje, mandej me mollëzat e gishtrinjve i nduku lehtë qafën e gjatë dhe rrëzën e supeve. Ajo u shkrydh. Dora rrëshqiti lirisht mbi këmishën e natës me një fërfëllimë epshndjellëse, por përnjëherësh u ndal e dridhur nga një pengesë e papritur. Nuk i besoi prekjes së parë. I kaloi sërish gishtat mbi të, por i tërhoqi me vrull, sikur të kishte prekur një dregëz kanceri. Ishte një arnë e qepur mbi këmishën e saj prej bezeje. Atij iu duk sikur ajo kishte veshur një arnishtë. Ndieu një rrënim të brendshëm. I iku pa kthim gjithë dëshira e kënaqsia, i ngriu patosi i shpirtit.
Dora iu këput dhe i mbeti si një gjethe e thatë mbi trupin e saj të dridhshëm.

25 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›