Dhoma Britanike e Tregtisë, mbështetje bizneseve për përballimin e krizës
Në kohën kur e gjithë bota intensifikon përpjekjet e saj për të përballuar e dalë nga kriza e rëndë dhe pasojat e saj, Dhoma britanike e Tregtisë në Tiranë ka intensifikuar aktivitetet në ndihmë të biznesit shqiptar, me qëllim lehtësimin e efekteve që kjo krizë hedh edhe mbi ekonominë tonë. Afrimi i kontakteve dhe mundësive të reja të biznesit që kjo Dhomë i ka ofruar bizneseve të ndryshme shqiptare, ka bërë të mundur që mjaft prej tyre, jo vetëm të mos reduktojnë prodhimin, por përkundrazi në disa raste u janë ofruar edhe mundësi të reja biznesi apo kontrata të reja. Drejtuesit e kësaj Dhome janë të bindur se me politika të caktuara energjike, shqiptarët mund edhe ta shfrytezojnë krizën botërore në favorin e tyre. Në këto kushte krize, mjaft industrialistë perëndimorë, po hedhin vështrimin e tyre drejt tregjeve të reja të punës, ku një krah më i lirë pune sa më afër gjeografikisht, do ti bënte ata më kompetitivë në tregun botëror. Drejtuesit e Dhomës Britanike mendojnë se pikërisht ky është një moment historik kur Shqipëria duhet të dalë në arenën botërore të tregut të punës dhe të ofroje avantazhet e saj mbi koston e ulët të prodhimit. Qëllimi është tërheqja e kapitaleve dhe punës në Shqipëri. Kjo është dhe arsyeja e intensifikimit të përpjekjeve të Dhomës në realizimin e këtyre work-shopeve. Garancitë dhe oportunitetet tona që Dhoma Britanike u ofron këtyre kompanive në Shqipëri përfshijnë një gamë interesi në 360 gradë; nga fusha e turizmit e deri në fushën e agrobiznesit, me qellim shndërrimin e vendit tonë në një kopsht organik të Europës.
Në këtë kuadër Dhoma Britanike organizon sot një takim shumë të rëndësishëm midis mjaft kompanive të fuqishme shqiptare dhe atyre britanike. Përfaqësuesit e kompanive britanike do të kenë në krye të përfaqësisë së tyre, vetë Ambasadoren e Mbretërisë Britanike në Shqipëri, Fiona Mc Ilëham. Kompanitë shqiptare që do të jenë prezente u takojnë profileve nga më të ndryshmet, si ndërtues të fuqishëm rrugësh, urash, hidrocentralesh, prodhues të materialeve inerte; kompanitë telefonike, një seri bankash, prodhues të ndryshëm këpucësh e fasoni, kompani të agrobisnesit etj. E larmishme është edhe gama e pjesëmarrësve anglezë në këtë takim. Kompani nga të gjitha fushat janë të interesuara të krijojnë bashkëpunime me kompanitë shqiptare.
“Toyota” tërheq nga tregu 400 mijë automjete
Një prej prodhuesve më të mëdhenj të automjeteve në botë, “Toyota”, ka njoftuar tërheqjen nga qarkullimi të disa mijë automjeteve anembanë globit. Ky vendim shihet si një goditje tjetër e reputacionit të kompanisë. Tërheqja pritet të kryhet për afro 400 mijë automjete që u shitën vitin e kaluar, mes të cilëve edhe “Prius”, modeli më i vlerësuar i “Toyota”-s. Sipas BBC-së në Tokio, vendimi më i fundit e cenon edhe më shumë imazhin, për të cilin “Toyota” kishte dekada që punonte. Për “Toyota”-n, modeli “Prius” me motor të përshtatur për emetim më të vogël gazrash, është mjeti drejt të ardhmes me një mjedis më të pastër. “Prius” është modeli që shitet më së shumti në Japoni, ndaj edhe problemi me frenat po e dëmton kompaninë. Reputacioni i prodhuesit më të madh të automjeteve në botë ka pësuar goditje nga dy tërheqje masive të prodhimit nga qarkullimi, për shkak të problemit me pedalin e gazit dhe frenat. Disa dhjetëra shoferë në Shtetet e Bashkuara dhe Japoni janë ankuar se frenat e modelit “Prius” nuk funksionojnë si duhet në rrugë jo të mira. Dy modele të tjerë të “Toyota”-s, “Lexus HS250” dhe “Sai” që shitet vetëm në Japoni përdorin sisteme të ngjashme frenimi. Aksionet e kompanisë kanë shënuar rënie për shkak të kritikave se “Toyota” duhej të kishte ndërhyrë më shpejt për zgjidhjen e këtij problemi. Instituti i Statistikave ka organizuar sot një tryezë për regjistrimin e ri të popullsisë dhe banesave.
10 Shkurt 2010