E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Krimeve të Rënda, përplasje me KLD-në dhe me Gjykatën e Lartë

Gjykata e Krimeve të Rënda, përplasje me KLD-në dhe me Gjykatën e Lartë

Në analizën vjetore thuhet se për të njëjtat vepra janë mbajtur qëndrime të ndryshme

Rritet sërish numri i përgjimeve, gjatë 2009-s, mbi 500 kërkesa të tilla

Laureta Rryçi

Duke mbajtur një minutë heshtje për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut të tyre Xhelal Elezi e duke vendosur një tufë me lule mes karrigeve ku ishin ulur për të analizuar punën e 2009-s, gjykatësit e Krimeve të Rënda mbajtën analizën vjetore në një nga sallat ku janë dhënë dhjetëra vendime e ku mbahen seancat më të rëndësishme për Drejtësinë shqiptare. Kryetari Dritan Hallunaj deklaroi se trafiku i lëndëve narkotike mbizotëron çështjet në gjykim, ndërkohë që ka rënie të trafikut të klandestinëve.
“Problematike ka qenë mënyra e shqyrtimit të kërkesës për përcaktimin e masës së sigurimit personal ose për verifikimin e kushteve për zbatimin e saj gjatë fazës së shqyrtimin gjyqësor. Disa vendime të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda kanë qenë kontradiktore”, - u shpreh Hallunaj. Kryetari i kësaj gjykate nuk kurseu as ankesat që kishin ndaj disa vendimeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas tyre, duhet të ketë ndërhyrje në këto vendime, pasi gjyqtarët e Krimeve të Rënda nuk mund të vlerësohen me të njëjtin sistem si gjyqtarët e gjykatave të tjera.
Analiza
Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda përmendi në fjalën e tij se me gjithë përpjekjet e trupës gjyqësore, disa çështje nuk kanë arritur të
përfundojnë në afate kohore të arsyeshme, dhe kjo kryesisht për shkakun e moskorrektesës së avokatëve mbrojtës apo të vonesave në kthimin e përgjigjeve të letër-porosive nga jashtë shtetit. Në analizë ishte i pranishëm drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Për kryeprokurorin e Krimeve të Rënda, Olsian Çela, është ende shqetësues trafiku i klandestinëve si dhe mosmbyllja e gjykimit të çështjeve më të rëndësishme për organin e akuzës. “Shqetësues mbetet një numër i caktuar çështjesh, të cilat janë ende në gjykim dhe që për ne përbëjnë një shqetësim themelor sepse janë çështjet më të rëndësishme që kemi sjellë para kësaj gjykate. Mendoj se është e domosdoshme që të shpejtohen hapat për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale sepse një nga kriteret vlerësuese është edhe shpejtësia në gjykim”, - u shpreh Çela.
Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, nënvizoi sfidat e Gjyqësorit shqiptar. “Pushteti gjyqësor dhe Gjykata e Krimeve të Rënda përballen me sfida që kërkojnë domosdoshmërisht ndryshime në legjislacionin shqiptar, që duhet të reflektohen në kodet bazë”, - u shpreh Spahiu. Gjatë analizës u evidentua numri në rritje i përgjimeve që për 2009-n ka shënuar mbi 500 të tilla, çështja e dhënies së masave të sigurisë dhe sekuestrimi i aseteve të krimit pas rrëzimit të ligjit të mëparshëm dhe kalimi në Kuvend i ligjit të ri.
Përplasjet
Kryetari i Gjykatës solli në vëmendje të të pranishmëve se nuk kanë qenë të pakta përplasjet me Gjykatën e Lartë apo me Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, si dhe me disa vendime të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Duke pasur në konsideratë natyrën e çështjeve që shqyrtohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda, me përbërjen që kërkon ligji për trupin gjykues, mendojmë se kriteret e përcaktuara në Vendimin Nr. 238/1/c, datë 24.12.2008, të KLD-së ‘Për sistemin e vlerësimit profesional dhe etik të gjyqtarëve’, për kushtet e gjykatës sonë nuk janë plotësisht të përshtatshme. Mendojmë se kriteret në këtë drejtim duhen rishikuar në mënyrë që të specifikohen kërkesat për gjyqtarët e gjykatës sonë duke marrë parasysh karakteristikat e punës së kësaj gjykate”. Kjo ishte një nga vërejtjet që kishin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kryetari shpjegoi se një ndër shkaqet e evidentuara në prishjen e disa vendimeve të kësaj gjykate nga gjykatat më të larta ka qenë interpretimi i ndryshëm i dispozitave procedurale që rregullojnë njoftimin e të pandehurve kur janë sjellë për gjykim në mungesë. Sipas të dhënave rezulton se në të gjitha rastet e sjella për gjykim kur të pandehurit janë hetuar në mungesë, për ta janë kryer në fazën e hetimeve paraprake veprime procedurale për gjetjen e njoftimin e tyre mbi caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”. Në fazën e gjykimit konstatohet se nga ana e trupës së shkallës së parë janë kryer veprime për njoftimin e të pandehurve që gjykohen në mungesë, është gjendur banesa e këtyre personave, janë marrë kontakte me pjesëtarë të familjes së të pandehurve, të cilëve u është dorëzuar fletë-thirrja dhe pasi gjykata është bindur se i pandehuri nuk gjendet dhe se nga tërësia e veprimeve procedurale konkludohet se ai i fshihet Drejtësisë, vetëm në këtë moment deklarohet mungesa për të vijuar gjykimin në mungesë. Mirëpo sipas shqetësimit që u ngrit dje, pavarësisht shqetësimit të këtyre gjyqtarëve, për të tilla raste ka pasur qëndrime të ndryshme nga Gjykata e Lartë.

box
Dosjet sipas veprave penale
Për veprën penale të vrasjes (nenet 78,79 KP), janë dhënë 3 vendime me 6 të pandehur

Për veprën penale të trafikimit të qenieve njerëzore (nenet 128/b dhe 114/b), janë dhënë 7 vendime për 15 të pandehur

Për trafikim narkotikesh (nenet 283/a KP), janë dhënë 54 vendime me 123 të pandehur

Për veprën penale të shtrëngimit me dhunë për dhënie pasurie (Neni 109), janë dhënë 5 vendime me 8 të pandehur

Për veprën penale të trafikimit të armëve (Neni 278/a), janë dhënë 13 vendime me 36 persona të pandehur

Për vepra penale të kryera nga organizatat kriminale dhe grupe të
strukturuara kriminale (nenet 333, 333/a KP) janë dhënë 1 vendim me 5 persona të akuzuar

boc

Të gjitha çështjet e gjykuara/shqyrtuara

Kërkesa për gjykim (çështje themeli): 136
Masa sigurimi: 181
Kërkesa për sekuestrim në bazë të LPGKO: 18
Kërkesa për lejim përgjimesh: 583
Kërkesa të tjera penale: 73
Totali: 991

Problem mbi mënyrën e sigurimit të provës

Sipas kryetarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, disa vendime të kësaj gjykate janë prishur nga gjykatat më të larta (si nga Gjykata e Apelit, edhe nga Gjykata e Lartë), pasi ka pasur interpretime të ndryshme prej tyre lidhur me dispozitat që
rregullojnë sigurimi i provës dhe procedura për realizimin e saj, pra të neneve 316-322 të Kodit të Procedurës Penale. Megjithëse ka një praktikë të konsoliduar gjyqësore dhe interpretim të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me pajtueshmërinë e pjesëmarrjes së anëtarëve të trupit gjykues që ka marrë “dëgjuar” provën gjatë sigurimit të saj edhe me qenien e tyre si anëtarë të
trupit gjykues që gjykon çështjen në themel, në disa vendime të vitit 2009, Gjykata e Lartë dhe më pas ajo e Apelit për Krime të Rënda konkludoi në të kundërtën. Paqartësi në ligjin procedural ka edhe në Nenin 158 të Kodit Procedurës Penale, në të cilën përcaktohen “Përjashtimet nga detyrimi për të dëshmuar”, mënyra e zbatimit të të cilit ka qenë një tjetër shkak i cenimit të një vendimi gjyqësor nga Gjykata e Lartë, i cili ka ndikuar
në shtimin e fluksit të pretendimeve edhe në çështje të tjera, sidomos në ato që kanë të bëjnë me veprën penale të “trafikimit të femrave për prostitucion”.

Gjyqtarët e Apelit: Duam më shumë siguri!
Gjyqtarët e Apelit për Krime të Rënda u kanë propozuar dje ndryshime Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së në mënyrë të tillë që të kenë siguri në punë dhe që ajo të funksionojë sa më mirë.
Gjatë analizës njëvjeçare të punës së tyre, kryetari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Gjovalin Përnocaj, ka kërkuar fillimisht sigurimin e jetës fizike, të pronës dhe të familjeve të tyre. Sipas tij, duhet të përmirësohet statusi i gjyqtarëve në përgjithësi dhe për krimet e rënda në veçanti, kryesisht për pagat, pensionet, kredi me kushte lehtësuese, garanci shëndetësore etj., të ngjashme me kategori të tjera me status më të mirë, si dhe të dalin aktet nënligjore për sigurinë fizike të gjyqtareve dhe të familjeve të tyre, pronës etj. “Të ndryshojë kompetenca e gjykimit të Gjykatës për Krime të Rënda (Neni 75 i K.Pr.P.), duke u vendosur përsëri ato lloj veprash penale që ishin parashikuar që në krijimin e tyre dhe çdo vepër penale që parashikon dënim me burgim jo me pak se 15 vjet, pasi ato vërtet përbëjnë krime të rënda, janë problematike për shoqërinë tonë, si dhe janë të përballueshme nga ana sasiore e cilësore nga këto gjykata. Të ndryshojë përbërja e trupit gjykues të Gjykatave për Krime të Rënda nga pesë në tre gjyqtarë. Të hiqet nga ligji ynë organik përcaktimi i mandatit 9-vjeçar, gjë që nuk është mbrojtje në aspektin e patundshmërisë, por rrezikon që në përfundim të mandatit gjyqtarët të diskutohen për të vazhduar punë në gjykata të tjera edhe jashtë rrethit, gjë që nuk përbën garanci e vlerësim për detyrën që përballojmë”. Këto ishin disa nga kërkesat që kërkoi dje në cilësinë e kryetarit Përnocaj. Ndërkohë që kryetari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda ka sqaruar se probleme janë paraqitur edhe me buxhetin e kësaj gjykate, ku problemet janë ndjerë edhe në mungesën e bojës që është thelbësore për punën, rregullimin e automjeteve si dhe shpërblimet e gjyqtarëve.

10 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›