E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë,Liri Berisha, vizitë bashkëpunimi në Qipro



Me ftesë të Zonjës së Parë të Qipros, Presidentja e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë ka zhvilluar një seri takimesh në ishull, gjatë vizitës së saj treditore. Znj. Berisha gjatë qëndrimit në Qipro zhvilloi takim miqësor me bashkëshorten e Presidentit të Qipros, znj. Esi Christofia, e cila për nder të delegacionit shqiptar, organizoi një drekë mikpritëse në ambientet e rezidencës presidenciale. Për të nderuar miqtë shqiptarë, në drekë ishte i ftuar edhe ministri i Shëndetësisë së Qipros, z. Christos G. Patsalides, i cili ofroi mbështetje edhe ndihmë të menjëhershme bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë. Znj. Berisha ftoi për vizitë znj. Christofia dhe ministrin e Shëndetësisë, z. Patsalides, të cilët e pranuan me kënaqësi këtë ftesë. Presidentja e Fondacionit, znj. Berisha, zhvilloi takimin e parë në zyrat e Federatës Internacionale të Talasemisë (TIF), e cila është krijuar në vitin 1986. Puna shkencore e kësaj federate drejtohet nga personalitete botërore të shëndetësisë, që merren me problemin e trajtimit dhe parandalimit të kësaj patologjie. Këta janë profesorë në universitete prestigjioze si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglisë, Francës, Italisë, Greqisë, Qipros etj. Bordi drejtues është i përbërë nga anëtarë të shoqatave të ndryshme në botë që kanë pacientë me talasemi. Lufta kundër talasemisë drejtohet në dy drejtime të rëndësishme 1. Trajtimi bashkëkohor i pacienteve në mënyrë që ata të kenë jetë normale dhe 2. Parandalimi i rasteve të reja. Në Qipro prej disa vjetësh lindja e rasteve të reja me talasemi është O (zero). Presidenti i kësaj federate, z. Panos Englezos, i ofroi ndihmën e tij znj. Berisha për parandalimin e talasemisë në Shqipëri, trajnimin e mjekëve specialistë dhe asistencë në pika në të cilat do të duhej ndihmë e specialistëve nga Federata Internacionale e Talasemisë. Propozimi i z. Panos Englezos për parandalimin e talasemisë ishte Edukata Shëndetësore në shkolla dhe Fushata Sensibilizimi për publikun. Znj. Berisha ka pasur takim dhe me znj. Doris Paraskevaidis, e cila zotëron një fondacion bamirësie për fëmijët me probleme, me degë jo vetëm në Qipro, por në disa vende të botës. Fondacioni merr përsipër transplante në veshkë për fëmijë. Znj. Paraskevaidis zotëron disa fondacione të tjera për fëmijët në nevojë. Në këtë takim u bisedua për bashkëpunim dhe ndihmë që mund t'i ofrojë znj. Paraskevaidis fondacionit në ndihmë të fëmijëve shqiptarë në nevojë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›