E Diel, 1 Nëntor 2026

Menaxhimi i spitaleve, Godo rikthen mjekët në shkollë

Drejtuesit e spitaleve të vendit do të jenë mjekë-menaxherë. Kjo është kërkesa e parashtruar dje nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila ditën e djeshme gjatë raportimit në Komisionin e Shëndetësisë ka kërkuar përgatitjen e mjekëve për menaxhimin e qendrave shëndetësore. Për të arritur këtë znj.Godo ka vendosur që të specializojë mjekët në fusha të ndryshme të ekonomisë duke u përqendruar kryesisht në menaxhimin e spitaleve.

Raportimi

Gjatë raportimit të mbajtur dje në Komisionin e Shëndetësisë, ministrja Anila Godo ka paraqitur një panoramë mjaft problematike në të cilën ndodhet shëndetësia. Godo gjithashtu ka premtuar reforma të thella në sistemin shëndetësor.

Në raportimin e saj përpara Komisionit të Shëndetësisë, ministrja ka kërkuar në radhë të parë përgatitjen e specialistëve për menaxhimin e qendrave shëndetësore. Nga ana tjetër, nuk ka rezervuar edhe kritika të ashpra ndaj drejtuesve të mëparshëm duke i fajësuar ata për krizën në të cilën ndodhet shëndetësia. Sipas saj, “mosmenaxhimi i mirë nga ana e drejtuesve i këtyre qendrave shëndetësore ka sjellë këtë krizë të shëndetësisë”, - u shpreh Godo.

Duke vijuar më tej ministrja Godo ka ironizuar ish-drejtuesit e spitaleve duke u shprehur se “u vunë të menaxhojnë shëndetësinë persona që s'kishin aspak të bënin dhe aspak të përgatitur për menaxhimin shëndetësor, deri në atë pikë sa kemi vajtur në spitale rajonale dhe kemi gjetur një mësues matematike, një profesor fizkulture, një mësues fizike që menaxhojnë një spital”.

Ndjekje penale

Në raportimin e saj të djeshëm ka vazhduar t’i mëshojë fort çështjes së korrupsionit të tenderave, ku sipas Godos, kjo është një ndër çështjet që po mban akoma në krizë spitalet duke vazhduar të vuajnë mungesën e medikamenteve. Për këtë ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, është shprehur: “Ne jemi të vendosur, është pak e hidhur ta thuash me kënaqësi, të çojmë personat e duhur për ndjekje penale dhe në prokurori".

Nga ana tjetër, Godo ka premtuar edhe ndjekje penale për të gjithë ata persona që kanë qenë të përfshirë në afera korruptive me tenderat e barnave.

Për spitalet e rretheve ministrja e Shëndetësisë ka theksuar se do t’u japë një zgjidhje. Në lidhje me këtë ajo ka premtuar mbyllje të atyre spitaleve që nuk kanë dhënë rezultate. Ndërkohë që nuk do të lejojë prishjen e kontratave shëndetësore me rrethet, pasi kjo ka sjellë dhe prapambetjen e spitaleve të ndryshme në vend. "Askurrkush të mos më afrohet për të prishur kontratat shëndetësore me rrethet", - vijoi ajo. Nga fundi i vitit pritet që të përfundojnë dhe kartat e shëndetit, por sipas ministres, pritet dhe konsulenca e huaj.

Përfundon rikonstruksioni i gjimnazit “Abdulla Keta” në Shkozë

Një tjetër shkollë, tërësisht e rehabilituar, është gati të presë të rinjtë e periferisë së kryeqytetit, këtë fillimviti të ri mësimor. Gjimnazi “Abdulla Keta” u rindërtua nga Bashkia e Tiranës, falë një kredie prej 512 855 euro nga Banka e Këshillit të Evropës (CEB).

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i pranishëm në inaugurimin e përfundimit të punimeve në ketë shkollë, është shprehur: “Këto shkolla të reja apo tërësisht të rindërtuara, janë tempuj të dijes dhe njëkohësisht hapësira të bashkëjetesës për të rinjtë deri në këto komunitete periferike si këtu në Shkozë, të cilët falë këtyre investimeve fitojnë mundësinë dhe të drejtën legjitime për t’u shkolluar, për t’u edukuar, për t’u mirërritur si në çdo vend tjetër të Evropës”.

Në mënyrë që procesi mësimor dhe edukativ të kryhet në kushtet më të mira fizike, puna u përqendrua në një model bashkëkohor projektimi. Kësisoj, para rikonstruksionit, shkolla kishte vetëm gjashtë klasa të thjeshta dhe dy laboratorë, ndërsa tani, pas ndërhyrjes, në dispozicion të nxënësve janë plot 16 klasa mësimore ndër të cilat dhe tre laboratorë. Hyrja e shkollës është vendosur në pjesën verilindore të objektit dhe është pasuruar me elementë arkitektonikë, duke i dhënë një akses të drejtpërdrejtë hollit të saj.

Të gjitha klasat, zyrat, kabinetet dhe laboratorët kanë një vendosje funksionale për nxënësit. Kjo mendohet të sjellë lehtësim në zhvillimin e mësimit si dhe në qarkullimin e tyre. Edhe kjo shkollë është ndërtuar në përshtatje me nevojat e nxënësve me aftësi të kufizuar, duke u krijuar atyre lehtësira nëpërmjet vendosjes së rampave.

Raporti, vdekjet e foshnjave në Shqipëri, më të lartat e BE-së

Në Shqipëri vdesin 18 foshnja për 1000 fëmijë të lindur. Kështu bëhet e ditur në një raport të Organizatës Ndërkombëtare “World Vision”, cituar nga agjencia britanike e lajmeve “Rojter”. Vdekshmëria tek foshnjat në Shqipëri është tre herë më e lartë se limiti i vendosur nga BE-ja. Edhe në një raport të vitit 2007 të OKB-së, Shqipëria renditej si vendi me vdekshmëri më të lartë në Evropë.

Shkak për këtë vdekshmëri janë infeksionet e rënda respiratorë, veçanërisht pneumonia, që është shkaku kryesor i vdekjes së fëmijëve në Shqipëri. Shkaqe të tjera janë anomalitë deri 28 ditë pas lindjes. Ky fenomen është më i përhapur në zonat rurale ku ka mangësi të theksuara të kujdesit shëndetësor. Raporti kritikon tërësisht sistemin shëndetësor dhe mungesën e decentralizimit të këtij sistemi.

Në fshatra kujdesi shëndetësor lë për të dëshiruar. Ndërkohë, raporti thotë se shumë qendra shëndetësore nuk kanë kushtet bazë të pajisjeve dhe higjienës dhe të tjera nuk kanë madje as ujë. Raporti shton se sistemi shëndetësor duhet të jetë falas, por në të vërtetë korrupsioni është i kudondodhur. Zonat më problematike të cituara në raport janë Librazhdi dhe Lezha. Në fshatra, thotë raporti, mjekëve dhe personelit tjetër shëndetësor i mungon dëshira për t’u shërbyer pacientëve.

Qendrat shëndetësore duhet të jenë hapur tetë orë në ditë, por në fakt nuk punohet as dy orë në ditë. Infermierët nuk bëjnë as minimumin për t’u shërbyer pacientëve. Ndërkohë, menaxheri i projektit të shëndetësisë së organizatës “World Vision”, Majk Obrajen, thotë se shkak i vdekshmërisë së fëmijëve është mungesa e informacionit tek nënat, por edhe kushtet e këqija të jetesës dhe mungesa e burimeve financiare.

ISHP: 44.4 për qind e qytetarëve bezdisen nga trafiku rrugor

Rreth 44.4 për qind e banorëve të kryeqytetit janë shumë të bezdisur nga zhurmat e trafikut rrugor, sipas një studimi të realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik gjatë periudhës 2007-2008 në Tiranë me 275 familje.

Sipas këtij studimi, rezulton se 28,5% e të anketuarve janë të bezdisur nga zhurmat e trafikut, ndërsa përqindja e popullatës me çrregullime të gjumit ishte 50.1%.

Qëllimi i studimit të ISHP-së është pikërisht vlerësimi i shkallës së bezdisjes dhe çrregullimeve të gjumit lidhur me trafikun rrugor në zonat e banimit në Tiranë. Studimi tregoi se burimi kryesor i bezdisjes dhe çrregullimeve të gjumit ishte trafiku rrugor.

Studimi kros-seksional u krye përgjatë një viti (2007-2008) në Tiranë. Matjet e zhurmave u realizuan në 15 pikat e monitorimit, sipas metodikës të përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›