Këshilli i Ministrave çel 9 programe të reja masteri
Programet e studimeve të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është dy vite
Vetëm një javë pas hapjes së 26 programeve të reja master, Këshilli i Ministrave miratoi edhe nëntë programe të reja. Këto programe studimi do të fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2008-2009. Programet e reja të miratuara dje nga Këshilli i Ministrave janë në tre universitete dhe në më shumë se 4 fakultete të ndryshme. Në total numri i programeve master që ekziston në Shqipëri, pas ndryshimeve të fundit kalon mbi 100, që janë të përqendruara në Universitetin e Tiranës, Universitetin Politeknik dhe në Universitetin Bujqësor.
Programet e reja
Në bazë të vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave, në Universitetin Bujqësor të Tiranës do të hapen dy programe masteri, përkatësisht për “Inxhinieri përpunim-druri” dhe “Inxhinieri pyjore”. Ndërkohë në Universitetin Politeknik të Tiranës do të çelen 4 programe të reja masteri me 10 profile në total. Këto programe janë: Inxhinieri gjeologjike, Inxhinieri e burimeve natyrore, Inxhinieri gjeofizike dhe Inxhinieri e gjeo-mjedisit.
Ndërkohë, pas më shumë se 17 programeve të reja masteri të çelura një javë më parë, Universiteti i Tiranës do të pasurojë diplomat e nivelit të dytë edhe me tre programe të reja. Bëhet fjalë për programet “Psikolog shkollor/organizacional” dhe “Psikolog klinik i zhvillimit dhe marrëdhënieve”, në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe “Shkencat dhe teknologjitë ushqimore” në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Kuotat
Në një udhëzim të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës përcaktohet se “grupet mësimore në programet e studimit të ciklit të parë, ciklit të dytë dhe në programet e integruara të studimit të ciklit të dytë, rekomandohet të organizohen me numër studentësh” nga 60 për shkencat natyrore, deri në 120 për shkencat sociale, juridike, politike dhe psikologjike. Në këtë mënyrë, udhëzimi përcakton se për shkencat e natyrës do të duhet të pranohen 60 studentë në ciklin e dytë për çdo program, po aq sa edhe në ciklin e parë. Ndërkohë që për shkencat e aplikuara, ku do të përfshihen shkencat inxhinierike, teknologjike dhe ato bujqësore, ministria rekomandon që numri të jetë përafërsisht 80, ndërsa në ciklin e parë në këto shkenca, 100. Për sa u përket shkencave ekonomike, filologjike, historike dhe filozofike udhëzimi përcakton 100 studentë për çdo program masteri dhe 120 për çdo program “bachelor”. Numrin më të madh të studentëve në sistemin e masterit pritet ta përballojnë shkencat juridike, sociale, psikologjike dhe politike me 120 dhe 150, në ciklin e dytë dhe të parë, përkatësisht.
Pranimi
Në këtë udhëzim të ministrisë përcaktohet se të gjitha kriteret do të përcaktohen nga departamentet me këshillimin e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Një prej formave që mendohet të aplikohet në vend të mesatares është konkurrimi me dosje. Burime nga departamentet pohojnë se kjo formë, që sot përdoret në shumë programe master ekzistuese, pritet të zgjerohet në të gjitha degët. Në këtë mënyrë, disa shkolla do t’i zhvillojnë konkurrimet me anë të dosjeve që paraqesin kandidatët, në të cilat përfshihen rekomandime, jetëshkrimi, formular i përgatitur dhe një ese e shkurtër, ku do të paraqesin arritjet e tyre të deritanishme në fushat ku do të konkurrojnë, si planin praktik edhe në atë akademik. Veçoria që përcaktohet në udhëzim është ekuivalentimi i titujve shkencorë. Në ndryshim nga vitet e kaluara ku ekuivalentimi bëhej nga ministria, këtë vit e në vijim ajo do të bëhet drejtpërdrejt nga universitetet. Specialistët thonë se në rast se aplikantët për master do të jenë më pak se kuotat e miratuara, atëherë ka gjasa që të gjithë të përfshihen, pavarësisht kërkesave specifike.
Degët e reja
Universiteti Bujqësor i Tiranës:
a) “Inxhinieri përpunim-druri”
b) “Inxhinieri pyjore
Universiteti Politeknik i Tiranës:
a) “Inxhinieri gjeologjike”, me profile:
- Gjeologji inxhinierike dhe hidro-gjeologji;
- Vendburimet e mineraleve të dobishme-petrologji;
- Gjeologji e vendburimeve hidrokarbure;
- Gjeo-informatikë.
b) “Inxhinieri e burimeve natyrore”, me profile:
- Inxhinieri e burimeve të energjisë;
- Përpunim mineralesh dhe mbetjesh;
- Gjeomatikë;
- Gjeo-inxhinieri.
c) “Inxhinieri gjeofizike”
ç) “Inxhinieri e gjeo-mjedisit”
Universiteti i Tiranës
Fakulteti i Shkencave të Natyrës:
“Shkencat dhe teknologjitë ushqimore”
Fakulteti i Shkencave Sociale
“Psikolog shkollor/organizacional”
“Psikolog klinik i zhvillimit dhe marrëdhënieve”
Studentët nga trevat jashtë vendit do regjistrohen në fillim të tetorit
980 studentët nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, të cilët kanë fituar të drejtën e studimit në universitetet shqiptare, duhet të regjistrohen pranë sekretarive mësimore të fakulteteve në datat 1-3 tetor, bëri të ditur të mërkurën Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Sipas MASH, këta studentë duhet të dorëzojnë në sekretaritë përkatëse të universiteteve dëftesë pjekurie origjinale (të përkthyer në shqip dhe të noterizuar), dokument identifikimi dhe fotokopje të tij, 2 fotografi, mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekësh. Ministria e Arsimit dhe Shkencës kërkon nga autoritetet e vendeve nga janë 980 studentët fitues, që deri në datën 30 shtator të dërgojnë pranë institucioneve shqiptare publike të arsimit të lartë listat e studentëve të tyre, sipas programeve të studimit.