E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braktis çantën me 6 kg Kanabis, arratiset autori



Autori ka mundur të largohet në errësirë

Policia, tjetër bot uji i kapur për në Lazarat

Ka braktisur çantën e shpinës disa metra larg postbllokut të policisë, ndërsa më pas është larguar me shpejtësi në errësirë duke u shpëtuar prangave. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 të së martës, ku në kuadër të operacionit të koduar “Siguria e jetës” në rrugën nacionale Gjirokastër – Kakavijë, në vendin e quajtur “Ish-Divizioni Ushtarak”, forcat e policisë së Gjirokastrës ishin duke kryer shërbim në pikën e kontrollit. Sipas të dhënave të policisë lokale për këtë ngjarje një ditë më parë, mësohet se disa metra larg postbllokut të policisë, nga frika e kontrollit, një person ende i paidentifikuar ka hedhur një çantë shpine në disa ferra në anë të rrugës dhe është larguar me vrap në errësirë në drejtim të lumit Drino.

Pas kësaj, forcat e policisë janë vënë në ndjekje të autorit, por për shkak të errësirës ai ka mundur të largohet. Sakaq, në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor ku nga këqyrja e çantës ka rezultuar se brenda çantës ndodheshin 6 pako në formë cilindrike, me peshë 1 kilogram secila, të mbështjella me letër natriban ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të llojit Kanabis sativa. Edhe pse kontrollet e policisë kanë vazhduar përgjatë gjithë natës, personi që ka hedhur çantën me hashash nuk është arritur të kapet.

Nga ana tjetër, policia tha se gjatë operacionit të së martës janë bllokuar 7 autovetura të cilat ishin pa dokumente, si dhe një kamion i ngarkuar me cisterna metalike që shërbente për transport uji, ndërsa janë vendosur 91 masa administrative me vlerë 60.000 lekë, si dhe u janë hequr xhamat e zinj 13 autoveturave.

Po kështu, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për Ervin Bejkon, 21 vjeç, nga fshati Lazarat, pasi i riu nuk kishte leje drejtimi për të drejtuar automjetin tip “Benz” me traga GJ 9346 A dhe ishte rast i përsëritur, pasi më 4 shtator ai ishte gjobitur për mungesë të lejes së drejtimit të automjetit, pasi drejtonte po të njëjtin mjet. Për këto, materialet i kaluan prokurorisë për veprën penale të “drejtimit të mjetit në gjendje të dehur apo pa dëshmi”, ndërsa policia deklaroi se operacioni do të vazhdojë edhe ditët në vijim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›