Tirana, rrëzohet me debate ankesa e PS
BLEDAR HOTI
Maxhoranca në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rrëzon kërkesën e PS-së për rivlerësimin e fletëve të votimit në 6 zona zgjedhore në qarkun e Tiranës. Katër anëtarët e KQZ-së, Arben Ristani, Klement Zguri, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj u shprehën kundër kërkesës së socialistëve për të rivlerësuar votat e 6 zonave zgjedhore të qarkut të Tiranës, në 77 Qendra Votimi gjithsej. Gjithashtu KQZ-ja refuzoi dhe kërkesat e paraqitura nga ana e LZHK-së. Ankesat e PS, PBDNJ e LZHK kundërshtojnë vendimet për tabelat e rezultateve në KZAZ-të me nr. 45, 49, 54, 55, 58, 59 dhe 60, duke pretenduar se votat e tyre nuk janë vlerësuar drejt dhe duke kërkuar rinumërim dhe rivlerësim të tyre për disa qendra votimi në qarkun më të madh të vendit. Ndërsa ato të PBDNJ-së për rivlerësimin e votave në zonat zgjedhore 55, 59 dhe 60. Socialistët në kërkesën e tyre kërkuan që të rishikoheshin votat 6 QV-të e ZAZ-së 55, që i përket njësisë bashkiake 11, në Laprakë të Tiranës, në 22 QV-të të ZAZ 56 që i përket bashkisë së Kamzës, në 13 QV në ZAZ 57 të Ndroqit dhe Farkës. Në të njëjtën kohë kërkohej vlerësimi i votave për 23 QV në zonën e Paskuqanit (ZAZ 58), 10 QV në zonën e Kavajës (ZAZ 59) dhe 3 QV në ZAZ 60 të Rrogozhinës. Të gjitha këto 6 zona njihen si bastione të demokratëve, ku kanë fituar bindshëm ndaj socialistëve.
Debati
Mbledhja është karakterizuar me debate të ashpra, ku edhe kësaj here kërkesa e dy anëtarëve, Dëshira Subashi dhe Artan Lazaj, për hapjen e kutive të votimit, si detyrim i Kodit, neni 136, pika 3 dhe 138, pika 3. Kryekomisioneri Arben Ristani i cilësoi këto dy kërkesa si të koordinuara politikisht mes PS-së dhe dy anëtarëve të KQZ-së. “Ky koordinim është për të prishur punën e KQZ-së, duke sjellë kërkesa të pabazuara dhe, kjo absolutisht është në rrjedhën e prishjes së zgjedhjeve. Kjo bëhet për t’i prishur punë KQZ-së. Por, duke qenë se KQZ-ja është administratë zgjedhore dhe kemi përgjegjësi për ta përmbyllur me sukses këtë situatë, ne nuk mund t’i hapim rrugë problematikave të tilla, por duhet të procedojmë sipas ligjit”, tha kryekomisioneri. Në lidhje me kërkesën e Subashit, Ristani theksoi se, “sipas ligjit kërkohet rinumërim dhe rivlerësim për vota të caktuara dhe është pikërisht kjo shprehje e ligjit që e zgjidh problemin, pavarësisht se disa e lexojnë me zë të ulët. Duke qenë se kërkesa nuk i referohet ligjit, pra votave të caktuara dhe nuk është sipas kushteve në nenin e Kodit Zgjedhor, ajo nuk mund të merret parasysh”, tha Ristani. Por Subashi në replikën e saj shtoi se, “po zbaton vetëm ligjin dhe vetëm ligjin, dhe po kërkon pikërisht vota të cilësuara që përbëjnë 1/10 QV-ve të Tiranës”. Nënkryetarja e KQZ-së duke iu përgjigjur akuzave të kryekomisionerit shtoi se, “Ristani po i shërben PD-së, ndërsa anëtari Kosovrasti shkel vazhdimisht Kodin Zgjedhor dhe sulmon për të disatën herë”.
Qarku Tiranë
Aleanca e Ndryshimit 177.869 vota
PD 15 deputetë, PR 1 deputet
Bashkimi për Ndryshim 173.515 vota
PS 15 deputetë
Aleanca Socialiste për Integrim 19.916 vota
1 deputet
Poli i Lirisë 6923 vota
Asnjë deputet
Ligj dhe Drejtësi 829 vota
Asnjë deputet
Abdullah Omuri/ i pavarur 756 vota
Nuk fiton