Zgjedhjet, Solana shmang Tiranën
adi shkembi
Turi ballkanik i shefit të politikës së jashtme në BE, Havier Solana, nuk përfshin Shqipërinë. Gjatë vizitës së djeshme në Prishtinë, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri pranë Bashkimit Evropian ka bërë të ditura dhe arsyet përse vizita në Tiranë nuk ishte pjesë e axhendës së tij. Sipas Solanës, Shqipëria është ende në një proces zgjedhor dhe një vizitë pikërisht tani nuk do të ishte në kohën e përshtatshme. Por në të njëjtën kohë, zyrtari i lartë i BE-së, thekson se kjo nuk do të thotë se Shqipëria është jashtë axhendës së tij, teksa shton se për procesin zgjedhor do të flasë pikërisht kur ai të mbyllet. “Zgjedhjet u mbajtën jo shumë kohë më parë dhe nuk është kohë e mirë të shkoj atje, por kjo nuk domethënë që Tirana është jashtë mendjes sime. Por mendoj se duhet t’u japim kohë njerëzve ta finalizojnë procesin zgjedhor. Nuk do të doja të komentoj tash. Më lejoni ta bëj këtë më vonë, kur t’i kem të gjitha detajet. Fakti që nuk mund të komentoj sot është një koment”, deklaroi Havier Solana, Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Siguri ne BE. Sipas Solanës, lënia e Shqipërisë jashtë procesit të liberalizimit të vizave për këtë vit ka të bëjë me mospërmbushjen e kritereve, që sipas tij, janë të natyrës teknike, e jo politike. “Ky është një proces që është tërësisht teknik dhe jo politik. Kur shteti përmbush kapacitetet për të pasur kontroll në kufi, kapacitetin për të prodhuar pasaportën me të gjitha kushtet e kërkuara, ai shtet hyn në atë listë. Kjo është ajo që do të vazhdojë të ndodhë. Shtetet që kanë përmbushur kriteret do të marrin lejen brenda dy ditëve, të tjerat duhet të presin derisa t’i përmbushin kërkesat. Nuk është proces që ndalet por është proces që u përshtatet shteteve kandidate dhe ku shtetet kandidate duhet t’i përmbushin kërkesat e natyrës teknike”, theksoi më tej Solana. Për sa i përket përfitimit të Shqipërisë nga liberalizimi i vizave, zv.presidenti i Komisionit Evropian, njëherësh edhe komisioneri për Drejtësinë, Zhak Barrot, theksoi pak ditë më parë se kjo do të ndodhë në vitin 2010. Ai bëri të ditur se ekzekutivi i Bashkimit Evropian do të propozojë gjatë kësaj jave, që qytetarëve të Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë, t’u lejohet udhëtimi pa viza në vendet e BE-së nga fillimi i vitit të ardhshëm. Propozimi do të duhet të miratohet zyrtarisht nga ana e 27 ministrave të drejtësisë së BE-së, megjithëse vota unanime nuk do të jetë e nevojshme. Në të njëjtën kohë, zv.presidenti i KE-së theksoi se “në regjimin e ri të vizave do të përfshihen fillimisht Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja do të bëhen pjesë e tij më vonë, diku në vitin 2010, kur të kenë përmbushur kriteret e duhura”. Në një raport të Komisionit Evropian, të ndarë në katër blloqe dhe të publikuar në fund të muajit maj, Shqipëria rezultonte se nuk kishte përmbushur ende kushtet e vëna nga KE në lidhje me procesin e pajisjes së shtetasve shqiptarë me pasaportat biometrike dhe me kartat e identitetit. Në dokumentin e cilësuar si harta e Rrugës për Liberalizimin e vizave theksohet se, “edhe pse ka nisur procesi i pajisjes me pasaporta biometrike, shpërndarja e tyre është në një numër të vogël”. Raporti theksonte se “do të ketë verifikime të mëtejshme nëse duhet të ketë ndërhyrje të tjera për një progres të plotë”.