E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolegji Zgjedhor vendos për Beratin, Fierin dhe Tiranën

 

Pas shqyrtimit të ankimeve të KQZ-së mbi shpalljen e rezultateve, “barra” e zgjedhjeve pritet t’i kalojë Kolegjit Zgjedhor, institucioni “suprem” për vlerësimin e zgjedhjeve. Një muaj më parë janë zgjedhur nga KLD-ja 8 anëtarët e Kolegjit, të cilët do shqyrtojnë ankimimet mbi zgjedhjet në Shqipëri. Anëtarët e Kolegjit të përzgjedhur nga KLD-ja janë Dhurata Haveri,
Astrit Kalaja, Marie Qirjazi, Sashenka Jonuzi, Meriban Mullaj, Entela Prifti, Tom Ndreca dhe Petraq Koço. Sipas Kodit Zgjedhor, Kolegji duhet ta shqyrtojë çështjen brenda 10 ditësh pas ankesës. Pika 2 e nenit 152 të Kodit Zgjedhor thekson se, “ankimi për të gjithë vendimet që KQZ-ja merr në periudhën e cila fillon 48 orë pas dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme ose të përgjithshme deri në përfundim të shqyrtimit administrativ të ankimeve zgjedhore ose të kalimit të afateve të ankimit për zgjedhje, bëhet brenda 5 ditësh nga shpallja e tyre. Për vendimet që KQZ-ja merr jashtë kësaj periudhe, afati i ankimit në Kolegjin Zgjedhor është 30 ditë”. Partia Socialiste pritet të ankimojë brenda këtyre ditëve vendimet e KQZ-së në lidhje me qarkun e Beratit, Fierit dhe Tiranës. Ndërsa PD-ja ka bërë publike që do të ankimojë vendimin e KQZ-së për qarkun e Fierit. Deri më tani asnjë prej partive politike nuk ka ankimuar vendimin e KQZ-së për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›