E Diel, 1 Nëntor 2026

Tagani: Tirana nuk di të fitojë me arbitra

Salih Tagani

Tejet i acaruar nga njëra anë me humbjen, por disi më i qetë kur e pyet për lojën e skuadrës. Administratori, një ditë pas humbjes së bardhebluve në kryeqytet me Kukësin, gjithë mllefin e nxjerr ndaj arbitrave. Ai i sheh si shkaktarët kryesorë për dështimin e Tiranës, madje thekson se 24 herë kampionët e Shqipërisë janë ndër skuadrat që luajnë më pastër në Superiore dhe që në asnjë rast nuk është mbështetur tek arbitrat. “Nuk ka arsye që të marrim masa ndaj lojtarëve për këtë ndeshje. Gjykojmë që lojtarët bënë një lojë të mirë, shumë më cilësore se në javët e shkuara, por këtë herë ca fati dhe ca më shumë arbitri, bëri që të dilnim pa pikë nga fusha jonë. Janë disa raste të kontestuara nga ana jonë, por edhe një lloj arbitrimi gati tendencioz kundrejt nesh. Unë nuk dua të besoj që një arbitër si Jorgji t’i ketë bërë me qëllim, por e them me bindje se këtë herë na dëmtoi. Gjatë sezonit të shkuar, sa herë që kishim Jeminin apo Jorgjin, unë realisht isha më i qetë, pasi që të dy i kam konsideruar si arbitrat më të mirë në Shqipëri. Por fakt është se në ndeshjen me Kukësin, çuditërisht, pashë një Jorgji krejt tjetër”, tha fillimisht Tagani. Më tej, administratori i Tiranës ka thumbuar edhe Skënderbeun, i cili sipas tij ka fituar tituj në sajë të arbitrave. “Pikë së pari, ishte një penallti që nuk na u dha, dhe atë e pamë fare mirë ne në stadium me sy të lirë, ndaj çuditem se si arbitri nuk vërshëlleu. Ky moment mund të ndryshonte komplet lojën tonë. Së dyti, m’u duk i paarsyeshëm kartoni i kuq ndaj Ahmatajt, pasi faullin e rëndë në fakt e bëri lojtari i Kukësit dhe ai duhej të dilte me të kuq. E thashë: janë disa momente që në pamje të parë mund të duken si pa shumë vlerë, por që sipas meje kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes. Ne jemi Tirana, një skuadër që nuk jemi marrë asnjëherë me arbitrat, në kundërshti me disa skuadra të tjera që kanë fituar kampionate me arbitra. Nuk ka nevojë për shumë komente, pasi të gjithë i kanë ndjekur dy sezonet e fundit. Unë di të them se Tirana nuk është skuadër që i fiton ndeshjet me arbitra, nuk e ka bërë dhe nuk do ta bëjë kurrë këtë. Ndaj i kërkojmë FSHF-së dhe sektorit të arbitrave një lloj barazie për sa i përket gjykimit”, ka vazhduar Tagani. Në fund ai ka pohuar se ndaj Kukësit në kupë do provojnë të kthejnë rezultatin. “E dimë që është shumë e vështirë të kthesh një rezultat si 4-0, por ne do të kërkojmë që minimalisht ta fitojmë takimin, kjo edhe për inat tashmë”, përfundon Tagani.

Tifozët: Tirana po dështon prej drejtuesve
Grupimi “Tirona Fanatiks” ka dalë dje me një deklaratë për shtyp, në të cilën  e ka drejtuar gishtin nga drejtuesit aktualë për dështimin e skuadrës. “Të pakënaqur nga mënyra se si Tirana është menaxhuar ndër vite, të pakënaqur nga ecuria negative në kampionat dhe jo vetëm, paralajmëruam një protestë në ndeshjen e fundit. Me paramendim dhe në mënyrë të organizuar, drejtuesit e klubit tentuan të na pengonin duke na kundërvënë policinë. Përgjegjësia është e klubit dhe e askujt tjetër. Drejtuesit aktualë i konsiderojmë të paaftë, në mos dashakeqë. Nisëm të dielën dhe nuk kemi ndërmend të ndalemi, pavarësisht pengesave që mund të na vendosin gjatë rrugës”, – thuhet në deklaratë.

LEONARD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›