Sektori i ndërtimit, materialet do të kontrollohen së shpjeti me ligj
Jonida Tashi
Sektorit të ndërtimit në vend, do t’i duhet, që para nisjes së punimeve, të analizojë me çdo kusht cilësinë e materialeve që do të përdorë. Instituti i Ndërtimit, i vetmi institucion shtetëror që kryen analizat e të gjitha materialeve të ndërtimit që prodhohen në vendin tonë, apo importohen këtu, ka hartuar dhe dërguar në qeveri një projektligj, për ushtrimin e kontrollit të plotë të materialeve për ndërtim. Drejtori i këtij Instituti, Artur Roshi, bën të ditur se ky projektligj, që pritet të miratohet shumë shpejt është një bazë ligjore që i jep të drejtë Institutit të Ndërtimit, të ushtrojë kontroll të plotë të materialeve për ndërtim, inspektime të cilat do të rrisin cilësinë e sigurinë e ndërtimeve. Sipas Roshit, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi të qeverisë, merr fund dhe faza e tranzicionit për kontrollin e materialeve të ndërtimit, dhe i hapet rruga edhe trupave të tjera të inspektimeve private që janë në përputhje me tregun. Duke qenë se sektori i ndërtimit u bë një ndër shtyllat e zhvillimit të vendit, u nevojit hartimi i një ligji të ri për kontrollin e materialeve të ndërtimit, që përdorin ndërtuesit. Kjo edhe për faktin se, puna e Institutit të Ndërtimit deri tani është rregulluar mbi bazën e të ashtuquajturave “Leje teknologjike”, një ligj i cili kishte mangësi në kushtet e zhvillimit të sotëm, sipas kreut të Institutit të Ndërtimit.
Analizat
Sipas drejtorit, Artur Roshi, analizat janë të nevojshme për të gjitha materialet e ndërtimit. Kryerja e analizave ka një rendësi të veçantë, pasi ky proces lidhet jo vetëm me rritjen e cilësisë së ndërtimeve, por edhe indirekt me rritjen e sigurisë dhe cilësisë së jetës. Madje, jo vetëm kaq, por analizat në këtë Institut marrin një rëndësi të veçantë edhe për faktin se janë të certifikuara nga një ndërmarrje shtetërore, që krijon një besueshmëri më të madhe, pasi certifikata jepet në emër të shtetit për cilësinë dhe sigurinë. Tashmë në Institutin e Ndërtimit është hapur dhe Zyra e Pranimit të Monstrave, që rregullon dhe trajtimin e klientit, sipas koncepteve të tregut të lirë, që do të thotë se klientit i ofrohet shërbimi, cilësia dhe saktësia e analizave të materialeve në një kohë të shkurtër. Ndërsa Departamenti i Inspektimit dhe Kontrollit të Komfrontitetit ka si objekt pune, në fazën e parë kryerjen e inspektimeve në momentin, kur produkti i ndërtimit ende nuk ka dalë në treg. Ndërsa, faza e dytë konsiston në inspektimin e produkteve të ndërtimit në treg, ose e thënë ndryshe objekteve që tashmë janë në ndërtim ose në prëfundim.
Oponenca
Instituti i Ndërtimit, përveç analizimit të materialeve të ndërtimit, kryen oponencë edhe për ndërtimet, hidrocentralet apo rrugët në ndërtim. Për këtë, Artur Roshi shpjegon se pranë këtij Instituti është një departament që bënë oponencën teknike për objektet me vlerë të preventivit mbi 100 milionë lekë, si dhe për ndërtimet që kanë sipërfaqe shtesë nga leja e ndërtimit në bazë të ligjit “Për disiplinën e punimeve të ndërtimit” si dhe ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe informalizimin e ndërtimeve pa leje”. Ky departament ka sektorë të veçantë, që merren me hartimin e rregulloreve teknike, që janë kushtet teknike të projektimit dhe ato të zbatimit. Departamenti, ndërsa kryen projekte, vendos edhe standarde për materialet e produktet për ndërtim. Gjithashtu, pranë Institutit të Ndërtimit, funksionon edhe Sektori i Veprave Hidroenergjetike, që ofron studime hidroenergjetike për hidrocentale të veçantë, apo në kaskadë, si dhe konsulencë teknike dhe studime për problemet që lindin me shfrytëzimin e ujrave ndërkufitare, por edhe rezervat ujore. “Pranë Institutit është kryer edhe oponenca për projekt-zbatimin e të gjitha TEC-ve apo HEC-ve të dhëna me koncension nga qeveria shqiptare. Ndërsa oponenca për studimin e fizibilitetit është kryer nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore”, - pohon Roshi. Po ashtu, në Institutin e Ndërtimit janë kryer edhe oponencat e të gjitha akseve rrugore që janë ndërtuar në vendin tonë. Sipas drejtuesit të këtij Instituti, ajo që vlen të theksohet është fakti se si institucionet qeveritare, por edhe ato private, kanë marrë parasysh të gjitha sygjerimet dhe kufizimet e parashtruara, pas hartimit të oponencës si në fazën e projekt-idesë, ashtu edhe në fazën e zbatimit dhe ndërtimit të projekteve.
23 Prill 2009