E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specialisti i ORL-së: “Shkaqet për krijimin e infeksioneve në vesh”

Gjendja gripale, komplikimet që ndodhin në hundë, grykë, sinuse dhe veshë. Rreth 70 pacientë në javë drejtohen në Poliklinikën Nr. 3 nga problemet me veshët

Emanuela Sako
Gjatë sezonit të dimrit dhe fillimit të stinës së pranverës te shumica e personave shfaqen probleme shëndetësore apo infeksione në vesh, kullim të hundëve etj. Drejtori i Poliklinikës së Specialiteteve Nr. 3 dhe njëkohësisht specialist i ORL-së, Përparim Neziraj, sqaroi shkaqet e formimit të këtyre shqetësimeve shëndetësore. Neziraj tregoi se aktualisht problemet me veshët, sinozitin apo grykët, janë të lidhura me gjendjen gripale. Komplikacionet që ndodhin tek personat që preken nga gripi shoqërohen me probleme të infeksionit të veshëve, sinuseve (sinoziti) dhe dhimbjes së fytit. Më të prekurit janë fëmijët e vegjël, që në fazën e parë shoqërohen me dhimbje të grykëve dhe kokës. Në fazën e dytë, pacientët kanë probleme me dëgjimin dhe me sinuset, ku më të prekurat janë moshat e reja dhe të mesme. Por, problemi më i madh i kësaj gjendjeje shëndetësore është shmangia e menjëhershme e përhapjes së infeksionit të veshëve.
Shkaktarët
Mjeku specialist, Neziraj, shprehet se shkaktarët e përhapjes së këtyre problemeve janë virozat e stinës, të cilat shenjat e para i japin përgjithësisht nëpërmjet kullimit të hundëve. Kjo situatë është më problematike gjatë stinës së dimrit dhe fillon të reduktohet gjatë stinës së pranverës. Neziraj rekomandon përdorimin e menjëhershëm të medikamenteve për shmangien e sinozitit dhe infeksioneve në vesh. Por ai rekomandon që medikamentet të merren me këshillën e mjekëve dhe përdorimin në sasitë e duhura. Në shumë raste kanë ndodhur abuzime me teprimin e medikamenteve nga ana e mjekëve, farmacistëve apo pacientëve.
Të tilla raste bëhen shkak për komplikacione të shumta, siç ndodh në rastin e përhapjes së infeksioneve në vesh tek fëmijët. Nëse prindërit nuk e kurojnë menjëherë fëmijën, atëherë infeksioni mund të shkojë deri në kockë.
Pacientët
Numri i pacientëve që drejtohen në poliklinikë është tepër i lartë. Nëziraj sqaroi se gjatë një jave kryen rreth 70 vizita me probleme të këtij lloji. Sipas tij, pacientët nuk duhet të neglizhojnë sëmundjen që në shfaqjen e simptomave të para të sëmundjes. Specialisti rekomandon që pacientët duhet të marrin solucion fiziologjik për hundët, për veshët dhe më pas duhet të drejtohen tek mjeku specialist.

Mënyrat e kurimit të sëmundjeve të veshëve
Ftohja është shkaktari më i zakonshëm i pezmatimit të veshit. Sipas mjekëve, është mëse e zakonshme që pezmatimi i veshit të nisë me ftohje, sepse hundët dhe veshët e kanë të vështirë të mbrohen ndaj baktereve. Nëse bakteret shumohen, krijohet lehtë një infeksion me qelb në veshin e mesëm. Infeksionet janë më të zakonshme gjatë muajve të ftohtë të vitit. Pezmatimet e veshit mund të ndahen në nëngrupe të shumta, ku më të zakonshmet janë pezmatimi i menjëhershëm me qelb i veshit dhe rrufa e veshit. Me pezmatim të menjëhershëm të veshit duhet të mbahet parasysh një malcim i qelbëzuar në veshin e mesëm, i cili nis papritur, zgjat pak kohë dhe mund të verifikohet gjatë një vizite të thjeshtë te mjeku. Në rastin e rrufës së veshit, lëngu në veshin e mesëm nuk është i qelbëzuar. Dhembjet e veshëve paraqiten me nxehjen, skuqjen dhe irritimin e pjesëve të brendshme e të jashtme të veshit. I sëmuri ka dhembje të forta, që shtrihen deri në faring. Në vesh ka zhurma dhe fërshëllima, të cilat shkaktohen nga gjendja reumatizmale, nga të ftohtët, plagë të ndryshme apo rrufa. Edhe sëmundje të ndryshme çojnë në shfaqjen e dhembjeve në vesh. Sipas mjekëve, fëmijët nga mosha 1 deri në 12 vjeç janë të prirë për të vuajtur nga dhembjet e veshit. Pezmatimi i veshit është më i zakonshëm në disa familje dhe është kështu pjesërisht një sëmundje e trashëgueshme. Specialistët e kanë të vështirë të përcaktojnë se çfarë është ai element që trashëgohet. Mendohet se mund të jetë një funksionim jo aq i mirë i veshit të mesëm dhe i borisë së veshit, ose ka të bëjë me atë se si funksionon sistemi imunitar.

A kanë ndikim alergjitë në sëmundjet e veshëve?
Alergjitë nuk kanë treguar deri më sot të jenë ndonjë shkaktar ndihmues i pezmatimit të veshit. Vetë pezmatimi i veshit nuk ngjitet, por viruset e ftohjes apo bakteret me të cilat është infektuar njeriu janë ngjitës. Rreth moshës trevjeçare, pjesa dërrmuese e fëmijëve kanë pasur të paktën njëherë pezmatim të veshit. Ky rast është më i zakonshëm tek fëmijët e moshës 6 deri në njëmbëdhjetë muajsh. Specialistët shprehen se në sëmundjet e veshit marrin pjesë edhe shumë faktorë të tjerë, që bëjnë pjesë në këtë sëmundje. Të tillë janë; dylli në vesh, furunkula në kanalin e jashtëm të veshit, çarja e daulles së veshit, otiti i jashtëm dhe ai i huaj, sëmundja e minierit dhe shurdhimi. Grumbullimi i sekrecioneve të dyllit në kanalin e jashtëm të veshit mund të japë një dhembje të lehtë, ndjenjë kruajtjeje, në disa raste marrje mendsh dhe ulje të dëgjimit ose shurdhim të menjëhershëm, si rezultat i mbylljes së kanalit. Kjo diagnozë mjekohet vetëm duke bërë larje të kanalit të veshit, duke përdorur lavazh me ujë të vakët në temperaturën 37 gradë. Kurse furunkulat ose absceset në kanalin e jashtëm të veshit japin gjithmonë dhembje të forta dhe të padurueshme. Shkak është infektimi prej mikrobeve të ndryshme, që më shpesh ndodh prej traumave të vogla, që provokojnë të kruarën e veshit. Otiti i jashtëm është infektimi prej mikrobeve të ndryshme të kanalit të jashtëm të veshit, i cili mund të përhapet në llapën e veshit. Ai shoqërohet me skuqje të veshit dhe kanalit, të kruara, dhimbje, ënjtje që mbyll kanalin e sekrecioneve. Në këtë rast ndodh që të zmadhohen gjëndrat limfatike të nofullës ose prapa veshit. Ndërsa çarja e daulles së veshit ndodh kur tentohet për heqjen e trupave të huaj, kur kruhet veshi me sende të mprehta ose prej shtimit të papritur të presionit të ajrit në kanalin e veshit, nga goditjet me shuplaka në vesh, gjatë zbritjeve të shpejta të aeroplanit etj. Sëmundja e minierit është një sëmundje e labirintit, që karakterizohet me kriza të menjëhershme, marrje mendsh me zhurmë në vesh, me çrregullime të qarkullimit të gjakut, zbehje, djersë të ftohta, të përziera. Kriza është shumë e mundimshme për të sëmurin. Shpesh ai është në gjendje ankthi dhe mund të kalojë në gjendje të fikëti.

Si ta luftoni infeksionin e veshëve

Trajtimi fillimisht i infeksionit konsiston në pastrimin apo bërjen lavazh të kanalit të veshit dhe kjo ndihmon në heqjen dhe shpërndarjen e grumbullit të infeksionit të mbledhur në zona të caktuara.
Më pas nëpërmjet një fitili që arrin deri në mesin e veshit, arrihet që të shpërndahet i gjithë pezmatimi i mbledhur.
Njëkohësisht duhet bërë edhe trajtimi mjekësor në të cilin hidhen antibiotikët në vesh për të trajtuar dhe kuruar zonën në të cilën më parë ishte mbledhur pezmatimi dhe që kalojnë në ënjtjen e veshit.
Është e rëndësishme që të shmanget marrja e ilaçeve qetësuese në farmaci, pa rekomandim, sepse ato nuk ndikojnë në përmirësimin e situatës. Shpesh, ato mund të bëhen rrezik për rëndimin e situatës.

23 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›