E Shtunë, 31 Tetor 2026

Data e skandencës në ditën e gjykimit



Nga Artan Mullaj

Shumëkush e pa kryeministrin tonë të ngjiste shkallët e Murit të lartë kinez me një energji befasuese. Ndonëse nuk ishte një sfidë intelektuale (si me të drejtë, do ta dëshironte ai), ngjitja energjike e qindra shkallëve ishte një sfidë fizike dhe elektorale, siç e tha edhe vetë, çka paralajmëroi kilovatët e shumtë që janë fshehur nën lëkurën e tij, për t’u përdorur gjatë fushatës me një shkulm të ri të paparë. Talent i madh i një perëndimi te frikshëm, shefi i Ekzekutivit u përpoq privatisht të simbolizojë energjinë e adhurueshme fizike në prag të pleqërisë, por edhe në prag të fushatës, si një kërcënim elektoral, duke shpërthyer kështu shkëndija optimizmi në sytë e atyre që e ndjekin nga pas (atyre që kanë izoluar apo kushtëzuar funksionimin e tyre dhe të ardhmen e tyre pikërisht me luhatjen e energjisë fizike, por edhe shpirtërore të kryeministrit… ). Këta mbështetës janë klasa e re pushtetare dhe e lartë në Shqipëri; grupimi i pasur, elita borgjeze, që ai vetë e krijoi sipas një bindjeje të tij se klasat e larta kanë mundësi të pakta t’i shmangen monotonisë që u afron luksi dhe lavdia e pamerituar dhe mungesa e problemeve, por ato shndërrohen në plazma besnike e kamikaze kur rrezikohen ato dhe sidomos kur rrezikohet pushteti dhe lavdia e liderit që sfidon... kundërshtitë.

Sado primitive alegoria, mund të supozohet me modesti se ngjitja në kryemurin e botës kishte vërtet nuancat e një simboli… Kjo sepse, i pushtuar kështu nga një furi e pakuptueshme iluzionesh mes qartësisë së të tjerave, kryeministri ynë ia doli të përcjellë mesazhin sub-sureal te kamikazët e tij, por edhe tek të tjerët, se ai është sot më i fuqishëm se kurrë; si një elefant me fuqi radioaktive përballë, që nuk llogarit më asgjë…

Këtë përmasë shpërfillëse ia konsolidon aq më shumë perceptimi i bastionit të majtë, i cili nuk mund të mos jetë i ndikuar dhe i trazuar nga sfidat spektakolare të kryeministrit…, që kulmuan me mitingun e madh të anëtarësimit në NATO. Kjo sfidë, në fakt, i ka sjellë atij lavdi të re dhe energji të re, të cilën ai e publikoi me euforinë e delirit politik, që e karakterizon nëpër skena. Ndoshta është kjo sfidë pas të tjerave ajo që i ka yshtur edhe më opinionet shpirtthjeshta të njerëzve të dënuar të bëjnë sehir madhështitë, në bindjen se edhe pse i ka trokitur vjeshta në vesh, edhe pse i ka ardhur dita e skadencës, ai është ende i aftë që energjinë ta shndërrojë në imazhe, por edhe në simbol…

Por, nga ana tjetër, edhe pse “gjeneral i lartë” në luftën e pandershme të krijimit të përshtypjeve, normale që ngjitja në Murin më të madh të botës do të harrohet shpejt. Me gjithë përmasën e imazhit të fortë të “ngritjes” dhe me gjithë simbolikën, kjo sfidë do të harrohet shumë më shpejt të themi se buzëqeshja e Delijorgjit të arrestuar mes policëve disa ditë pas shpërthimit famëkeq (që u asteroidua pa u ndier si një simbol gjithashtu i kapjes së shtetit atëherë), apo më shpejt se “patatet me gjalpë” të Balliut aksioner në mes të belasë…

Sepse, jo ky sfidant i kristaltë që është, por edhe shenjt të ishte, edhe murg të ishte, edhe engjëll të ishte (S)Ali Berisha do ta kishte të nxirë biografinë e moralit me gjithë sa kanë ndodhur e po ndodhin në Shqipërinë blu të pushtetit të tij.. Madje edhe Krishti vetë i ringjallur do të druhej nëse në mbretërinë e tij do të ndodhnin Gërdecë të tillë, fazlliçë të tillë, ballinj të tillë, vjedhje të tilla dhe sfida të tilla pushteti… Pra edhe sikur i shtrydhur në lavatriçe, jo lëng të zi, por qumësht të sterilizuar të pikonte, kryeministrit do të duhej t’i bëhej gjyqi i ndërgjegjes së vet nëse nuk do ia bënin të tjerët, për të gjitha aferat dhe për të gjitha çudirat.

Pikërisht në këtë cakërrim, kryesfida spektakolare e shefit të madh qëndron jo në aventurat e “ngritjeve” radhë, që do të harrohen sakaq, por tamam në faktin që edhe pse nuk është Krisht dhe as ndonjë engjëll me flokë kaçurrel, ai është aq më i fuqishëm sa më të mëdha janë bëmat edhe më të shumta skandalet…

Ndjesitë popullore janë si plazmimet ujore që turbullohen kollaj nga energjitë e liderëve, sido qofshin ato. Ky është një përfundim instiktiv, të cilin kryeministri ynë mbase e ka kuptuar instinktivisht nëpër betejat e gjata dhe përvojat e gjata elektorale. Falë kësaj përvoje ai është kthyer në një mjeshtër të imponimit krejt rastësisht, ashtu si rastësisht ka sfiduar rezistencën skeptike të perceptimeve popullore, duke i manipuluar në atë shkallë ato, saqë ia ka dalë të rrëmbejë aurorën e lavdisë nga duart e shumë të tjerëve, që mbase e kanë merituar patjetër, kohë pas kohe, më shumë se ai.

Edhe pse nuk ka inteligjencë të lartë, finesë të lartë dhe sjellje konstruktive, ka një sekret për fitoret e tij dhe ky sekret ka të bëjë me faktin se ky njeri udhëhiqet nga një instinkt i pamposhtur pushteti, i cili i mungon pjesës tjetër.

Ne, njerëzorët, s’jemi gjë tjetër veç një kombinim i pashpjegueshëm energjie që ndodh brenda nesh. Njeriu është një ekuilibër i vështirë mes tre parametrave në radhë: njëri parametër është organizmi ynë, me gjithë çudirat kimike që ndodhin në të; tjetri është truri me gjithë magjinë e pabesueshme për të menduar e fantazuar; në fund vjen qenia, pavetëdija apo pasuria historike e trashëguar, përfaqësimi fisnor, si një pjesë e shpirtit tonë. Truri s’është veç një vegël, një mjet që shpirti apo nënqenia përdor dinakërisht sipas logjikës dhe pushtetit të instinkteve. Instinktet janë yndyra e mbledhur nga tundja shekullore e shpirtrave. Nënqenia jonë është si një “hije” dinake plot djallëzi, që preson çdo qelizë tonën dhe çdo funksionim. Pikërisht, ajo na drejton. Ajo edhe frika… Frika nuk është e jona, por e kësaj “fuqie hijesh” që shtrihet nëpër damarë dhe urdhëron trurin tonë të analizojë intelektualisht dhe të ngjallë panik. E veçanta me kryeministrin tonë është se “fuqia e hijeve” që shtrihet nëpër damarët e tij ka vetëm një drejtim, si një forcë e vetme vektoriale, dhe kjo është jo frika universale e njeriut, por tmerri që prodhon mosqenia gati e tij për humbjen e pushtetit. Ky tmerr dhe kjo mosqenie gati i ka zhvilluar atij fort atë instinktin e rrallë dhe të pamposhtur të pushtetit që përmendëm më sipër…

Ky instinkt i pamposhtur është edhe arma e tij më e fortë në betejën elektorale përpara!

Por ka një problem. Po të kujtojmë ekuilibrin e teoremës së Frojdit, i cili thotë se ne jemi diçka pak më shumë se një kontradiktë, që buron nga lufta e përjetshme mes instinkteve dhe arsyes dhe po të kujtojmë që kryeministri ynë është pushtetar instinktiv (instinktet e tij zakonisht fitojnë mbi arsyen), problemi është se çfarë ndodh nëse instinkti i tij i pamposhtur, i cili e udhëheq atë, na udhëheq edhe ne dhe do të na udhëheqë për sa kohë ai do të jetë në pushtet, nuk do të jetë në vazhdim i shëndetshëm, ose më keq akoma, çmendet fare në një terren ku ndodhitë, me të gjitha skandalet radhë, nuk mund t’i kesh në kontroll, si po ndodh realisht.

Sepse orteku i skandaleve, në fakt, ka nisur t’i dalë nga kontrolli “kandidatit potencial” për hero kombëtar dhe rritet përditë. Ky ortek filloi në Gërdec, në rrugën patriotike, në abuzimet atje dhe rritet përditë e me sa duket nuk mund ta ndalojë më asgjë, madje as muri i betonuar i lavdisë së anëtarësimit në NATO, as ngjitja e kryeministrit në Murin kinez, as propaganda dhe arritjet shpesh të paqena dhe as instinkti i tij i pamposhtur, që u mungon dhe do t’u mungojë të tjerëve… Do të rritet më fort për sa kohë varfëria në këtë vend do të jetë më e madhe se mashtrimi dhe vjedhjet e pushtetarëve do të jenë më të mëdha se mjerimi. Dhe do të rritet për sa kohë qytetarëve të këtij vendi do të vazhdojnë t’u ulen ato shkëmbimet milionëshe të qelizave në tru që thonë shkencëtarët, të cilat provokojnë prodhimin e hormoneve të dëshirës për të marrë pjesë e nganjëherë për të jetuar.

Orteku po afron! Po afron ora e gjykimit!

23 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›