Bizneset gjermane tregojnë interes për tregun shqiptar, 39 kompani sot në panair
Çel sot në Tiranë siparin panairi i parë i biznesit gjerman në vendin tonë. Ai do të zgjasë tri ditë dhe pritet të paraqesë një këndvështrim të ri të zhvillimit të biznesit, por dhe besimin e shqiptarëve ndaj mallrave dhe prodhimeve gjermane. Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, organizator i këtij panairi të parë të biznesit gjerman, bënë të ditur se në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë më shumë se 39 kompani të fushave të ndryshme, përfaqësues të industrisë së makinave, ndërtimit, mjekësisë, farmaceutikës, ushqimeve, këpucëve etj. Organizimi i këtij panairi ka gjetur edhe mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Tiranë, Dhomës Gjermane të Tregtisë (DIHA) dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Firmat pjesëmarrëse janë jo vetëm ato që ushtrojnë aktivitetin në vendin tonë, por dhe shumë të tjera që kërkojnë të hyjnë në të, si në fushën e veshjeve, pijeve, farmaceutikës dhe ndërtimit. Gjermania renditet si një ndër partnerët e rëndësishëm tregtarë me Shqipërinë, ku vend kryesor zënë importet e mallrave me këtë vend. Sipas të dhënave të publikuara së fundi nga Instituti i Statistikave, gjatë vitit 2008 importet shënuan vlerën e 17 miliard e 771 milionë lekë. Vendin kryesor e zënë makineritë dhe pajisjet, ndërsa eksportet me Gjermaninë për këtë periudhë, arritën në 2 miliard e 47 milionë lekë. Referuar të dhënave nga METE, gjatë 20 viteve të fundit Gjermania ka financuar projekte të shumta në Shqipëri për zhvillimin ekonomik dhe social. Në kuadër të marrëdhënieve shumëpalëshe, Gjermania ka kontribuar për Shqipërinë gjatë 20 viteve të bashkëpunimit me rreth 800 milion euro, shumë e cila për frymë të popullatës është më e madhja që ky shtet i ka dhënë një vendi tjetër në botë.
23 Prill 2009