Fondi i shpëtimit të Euros nuk do të zgjerohet
Fondi për shpëtimin e shteteve të Eurozonës, nuk do të zgjerohet. Për këtë u morën vesh ministrat e Financave të Eurozonës në Bruksel. Para takimit ishte sugjeruar rritja e shumës, që arrin sot 750 miliardë euro. Obligacione të përbashkëta të shteteve të Eurozonës: këtë ide e hodhën në një artikull gazete presidenti i eurogrupit Jean-Claude Juncker dhe ministri italian i Financave, Giulio Tremonti. Me këtë ata ranë në një fole gjarpërinjsh. Shumica e përfaqësuesve të vendeve me gjendje buxhetore të qëndrueshme i refuzojnë obligacionet në euro, sepse atëherë atyre do t'u duhej ndoshta të paguanin norma më të larta interesi sesa tani. Vendet më të paqëndrueshme, nga ana tjetër, do të përfitonin, sepse norma e tyre e interesit do të ulej. Ndër kundërshtarët bën pjesë edhe ministri austriak i Financave Josef Pröll. "Nuk bën që ato vende si Austria, që bëjnë ekonomi të disiplinuar, që ndjekin edhe një rrugë të vështirë për ta mbajtur vendin në stabilitet, në fund të rrugës të paguajnë plus. "Kancelarja Angela Merkel ishte shprehur në Berlin, po ashtu kundër obligacioneve të përbashkëta në euro. Prej kohësh Portugalia, por edhe Spanja, e cila është ekonomikisht shumë më e rëndësishme, konsiderohen si kandidatë të mundshëm. Por Klaus Regling, shefi i mekanizmit të krizës, u përpoq të qetësonte. “Ndonjëherë dëgjoj dhe lexoj, se mekanizmi i krizës nuk mjafton. Kjo nuk është e saktë. Mjetet për Irlandën janë relativisht të pakta krahasuar me mundësitë e kredidhënies, që ka mekanizmi. Ka mjete të mjaftueshme, që në rast nevoje të përballohen edhe raste të tjera”. Por ndaj deklaratave të tilla është përhapur ndërkohë njëfarë mosbesimi. Pak para ngritjes së fondit të shpëtimit Regling kishte thënë, se me gjasa mjetet financiare nuk do të kërkoheshin kurrë. Më pas Irlanda i tregoi atij të kundërtën. Ndërkaq ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, u përmbajt në Bruksel mjaft me komente mbi temat e diskutueshme. Ai këshillon tani për qetësi dhe përmbajtje. Sidoqoftë, tani për tani Portugalia nuk gjendet nën ombrellën e shpëtimit, siç parashikonin shumë veta disa ditë më parë.