E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondi për zgjedhjet 200 milionë lekë

25/03/2011  Fushata zgjedhore, KQZ u ndan partive pjesëmarrëse paratë

Ndarja në 3 kategori: PD e PS do të marrin 70% të tij

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen djeshme ka miratuar pa votat e opozitës fondet për financimin e fushatës zgjedhore të 8 majit. Për shpërndarjen e fondeve vjetore partive politike në formën e ndihmës financiare vjetore për vitin 2011 përfitueset e këtij fondi janë dy partitë e mëdha: PD-ja dhe PS-ja, të cilat do të marrin 70% të fondit

Shpërndarja e fondit

Shuma e këtij fondi që do të përdoret për zgjedhjet vendore të 8 majit është 200 milionë lekë, e cila është parashikohet të ndahet në tri kategori. Konkretisht: 70 për qind e këtij fondi do të ndahet mes dy partive të mëdha parlamentare, asaj demokratike dhe Socialiste; 20 për qind e fondit është parashikuar ta marrin partitë e tjera parlamentare; ndërkohë 10 për qind të shumës e përfitojnë partitë që në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1 për qind të votave. Sipas kreut të KQZ-së Arben Ristani, ky fond është i parashikuar edhe në buxhetin e shtetit të vitit 2011. E thënë me detaje, Partia Demokratike do të përfitojë 83 milionë lekë, Partia Socialiste 80 milionë, Lëvizja Socialiste për Integrim do të përfitojë 11 milionë lekë, Partia Rrepublikane 8 milionë, PDIU-ja e Shpëtim Idrizit 7 milionë lekë, PBDNJ-ja e Vangjel Dules 7 milionë lekë dhe PSD-ja e Skënder Gjinushit 352 mijë lekë. Ndërsa pjesa që mbetet nga 10-përqindëshi për partitë që nuk e kanë kaluar pragun elektoral, por që janë regjistruar si pjesëmarrëse në garën e qeverisjes vendore, do të jetë 1812 milionë lekë, që do t’u shpërndahet partive të vogla në mënyrë të barabartë.

Miratimi në Kuvend

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e fondeve për financimin e partive politike për fushatën zgjedhore të 8 majit kaloi po dje për miratim edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Në seancën plenare ditën e djeshme nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli deputetët miratuan me 116 vota “pro” vendimin e marrë nga KQZ-ja për fondin 200 milionë lekësh që do t’u shpërndahet partive për zgjedhjet e 8 majit. Në votimin e djeshëm për fondin zgjedhor morën pjesë dhe deputetët e opozitës, të cilët ishin të pranishëm në seancën e djeshme plenare, por nuk votuan një sërë projektligjesh të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe mjedisor të vendit. Kështu, pas diskutimeve në parim Kuvendi miratoi në tërësi projektvendimin e dorëzuar dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve “Për caktimin e fondeve publike që do t’u shpërndahen subjekteve zgjedhore për zgjedhjet vendore të vitit 2011”.

Vëzguesit afatgjatë

KQZ-ja në mbledhjen e djeshme, pasi shqyrtoi në tërësi kërkesën e paraqitur nga shoqata “Për Kulturë Demokratike” për miratimin e vëzhguesve afatgjatë të kësaj shoqate për vëzhgimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 8 maj 2011. SHKD-ja është një organizatë jofitimprurëse, e cila operon në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Ajo kërkon të angazhohet sërish në këtë proces zgjedhor, ndaj për këtë arsye ka paraqitur një kërkesë për miratimin e 145 vëzhguesve afatgjatë, të cilët do të monitorojnë zgjedhjet e datës 8 maj në të gjitha qarqet e Shqipërisë.

83 milionë PD

Partia kryesore e mazhorancës do të përfitojë nga fondi për zgjedhjet shumën prej 83 milionë lekësh. Kjo shumë është përzgjedhur pasi PD-ja ka marrë në zgjedhjet e kaluara 68 mandate në të gjithë vendin. E thënë në përqindje, ka marrë 40,18 për qind të votave.

80 milionë PS

Partia që udhëheq opozitën shqiptare do të përfitojë nga fondi për garën e ardhshme shumën prej 80 milionë lekësh. Partia Socialiste në rang vendi në zgjedhjet e kaluara nga marrë 65 mandate, ose 40,85 për qind të votave.

11 milionë LSI

Lëvizja Socialiste për Integrim është e treta sa u përket mandateve të fituara në zgjedhjeve dhe në fondin për zgjedhjet është parashikuar që ajo do përfitojë një shumë prej 11 milionë lekë. LSI-ja ka katër mandate në Kuvendin e Shqipërisë.

PDIU, PBDNJ, PR dhe PSD

Këto parti do përfitojnë pjesën e mbetur, ose 10 për qind të shumës në total të fondit për zgjedhjet vendore të 8 majit. Këto janë partitë që kanë kaluar përqindjen e pragut elektoral, kështu që ato janë automatikisht përfituese të fondit që vilet nga buxheti i shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›