E Diel, 1 Nëntor 2026

Forca e shtytjes e Laura Bushit

Nga Kathleen Parker, “The Washington Post”

Gratë, e jo burrat, do ta shpëtojnë botën.

Zonja e Parë, Laura Bush, nuk i tha saktësisht këto fjalë, por komentet e saj të bëra të hënën gjatë një mbledhjeje të vogël të biografëve, historianëve dhe gazetarëve, lanë të kuptohet kjo gjë. Nëse ka të drejtë, zonja e parë e Amerikës do ta ketë luajtur një rol të rëndësishëm në këtë evolucion. Përfitimet e grave përreth botës, në vendet si Kabuli dhe Riyadi, po ndodhin në pjesë të madhe për shkak të manovrimeve të qeta feministe të Laura Bushit, si gruaja e presidentit të SHBA.

Qëllimi i takimit të së hënës, që përfshiu drekë dhe një shëtitje nëpër rezidencën e katit të dytë të udhëhequr nga një kurator, ishte që t'u lejohet kronikëve potencialë të Zonjës së Parë që t'i qasen mendjes dhe planeve të saj për të ardhmen.

E ulur në Zyrën e Verdhë Ovale, e cila çon te ballkoni ‘Truman’, znj. Bush tha se synon të vazhdojë të ndihmojë gratë dhe fëmijët me anë të nismave të saj për edukim dhe shëndetësi. Ajo gjithashtu shpreson të përfshijë trajnimin për udhëheqësi të grave si pjesë e Freedom Institute në Southern Methodist University, që është plan i burrit të saj. Të hënën, faqja e parë e “Washington Post” paraqiti një tregim për gratë e Rwandas, të cilat udhëheqin një vend ku dikur kishin qenë viktima të dhunimit sistematik gjatë gjenocidit të vitit 1994. Muajin e kaluar, parlamenti i Rwandas u bë i pari në botë me një shumicë femrash (56 për qind), dhe gratë mbajnë një të tretën e pozitave në kabinet, duke përfshirë shefin e Gjykatës Supreme dhe komisarin e përgjithshëm të policisë.

Brenda gazetës, redaktori i faqes editoriale, Fred Hiatt, shkroi për Burmën, ku znj. Bush ka luajtur një rol udhëheqës në shtytjen e lirimit të udhëheqëses demokratike, Aung San Suu Kyi, e cila ka kaluar më shumë se 13 vjet në arrest shtëpiak. Hiatt kritikoi Raportin e ri të Krizës Ndërkombëtare, e që nxit kooperimin e Perëndimit me qeverinë e Birmanisë, e cila shkel të drejtat e njeriut. Raporti i ri gjithashtu e denoncon “diplomacinë megafon” të Laura Bushit. E, sa për atë megafon, a do të mund t'ia gjenim zonjës një zmadhues?

Si dikush që udhëtoi tetorin e kaluar me znj. Bush në Lindjen e Mesme për të përparuar nismën e Departamentit të Shtetit kundër kancerit të gjirit, kam qenë e privilegjuar të vrojtoja atë në aksion, si dhe të çmoj rezultatet e përpjekjeve të saj, të cilat po shpëtojnë jetë. Kryesisht për shkak të saj dhe Susan B. Comen, që punon për organizatën “Cure” dhe bën fushata kundër kancerit, gratë në atë pjesë të botës, që është tejet patriarkale, kanë fituar zërin e tyre. Më me rëndësi, gratë po mbijetojnë. Para se znj. Bush të fillonte të takohej me udhëheqësit në Arabinë Saudite, Kuwait, Jordani dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, 80 për qind e viktimave të kancerit të gjirit në Lindjen e Mesme humbën jetën. Tashmë këta numra priten të zbresin, sepse gratë nuk kanë më turp të kërkojnë diagnozë dhe trajtim të hershëm. Ashtu siç tha znj. Bush, të hënën, shëndeti është çështje e lirisë. Për të qenë i lirë, së pari duhesh të jesh gjallë. E pastaj, duhet të edukohesh.

OKB raporton se 774 milionë njerëz përreth botës nuk dinë shkrim dhe lexim. Nga këta, dy të tretat janë gra. Shtatëdhjetë e pesë milionë fëmijë nuk shkojnë në shkollë.

Zonja e Parë, e cila është ambasadore nderi për Dekadën Shkrim dhe Lexim të OKB, foli në fillim të këtij muaji në OKB, për rëndësinë e mbylljes së zbrazëtisë së gjinisë, kur është në fjalë shkrimleximi. “Nëse gratë janë të edukuara, gjithçka përmirësohet për familjet e tyre”, - tha ajo.

Në fakt, në mesin e grupeve ndërkombëtare humanitare gjerësisht dihet se mënyra më efektive për të zvogëluar varfërinë dhe sëmundjet, është të edukohen gratë.

Në Afganistan, ku Laura Bush ka udhëtuar tri herë, janë bërë hapa të mëdhenj në edukim dhe barazi. Sot, një e treta e më shumë se 6 milionë fëmijëve afganë nëpër shkolla, janë vajza. Shumë lexues mund t'i mësojnë këto gjëra për herë të parë dhe të pyeten pse. Pjesërisht mund të jetë, sepse personaliteti modest i znj. Bush, mësuese-bibliotekare, e ka minimizuar joshjen nga mediat.

Në mesin e atyre gjërave të cilat znj. Bush kishte dashur t'i mësonte më herët, është se Zonja e Parë ka fuqi shtytjeje dhe duhet ta përdorë këtë. Edhe pse ajo e dha adresimin e parë në radio, që u dha nga një Zonjë e Parë, në vitin 2001, dhe nxiti përkrahje për gratë afgane, Bush nuk eci me hapa të mëdhenj gjer në mandatin e dytë të burrit të saj. Misioni i saj ka qenë gjithçka pos modest: që të shpëtojë gra, të edukojë vajza, t'i japë fund varfërisë, të zvogëlojë sëmundjet, të zgjerojë demokracinë dhe të promovojë lirinë.

Gratë ndoshta nuk e shpëtojnë botën, së paku jo pa ndihmën e burrave të ndritur, por historia do të gjykojë se një Laura Bush e bëri pjesën e vet.

Bravo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›