Mustafaj: Mosbesimi ndaj ligjit zgjedhor do dëmtonte zgjedhjet
Në një kohë kur debati për Kodin e ri Zgjedhor është ndezur dhe nën akuzë janë dy partitë kryesore, PD dhe PS, nga demokratët vjen një reagim në favor të partive protestuese.
Kandidati për kryesimin e Partisë Demokratike të Tiranës, deputeti Besnik Mustafaj, gjatë një takimi me ambasadorin e Republikës Federale Gjermane, Bernd Borchardt, me kërkesën e këtij të fundit, ka theksuar faktin se ligji elektoral duhet të jetë i gjithëpranuar, sepse klima e mosbesimit do cenonte procesin. Mustafaj i shpjegoi diplomatit të lartë gjerman se deputetët ende nuk janë njohur me projektin e ligjit të ri elektoral. Sipas zyrës së shtypit të kandidatit demokrat për kryesimin e PD së Tiranës, Mustafaj shprehu shpresën se parlamentit do t’i jepet koha e mjaftueshme për të zhvilluar një debat të gjerë e të shëndetshëm rreth këtij ligji, i cili duhet të miratohet, vetëm pasi të jetë sqaruar dyshimi i përhapur se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste po merren vesh për të monopolizuar numërimin e votave, si dhe dyshimi tjetër se në këtë ligj parashikohet ngushtimi me tepri i mundësisë për të konkurruar qoftë për partitë jo parlamentare, qoftë për individët e pavarur.
“Për shqiptarët do të jetë i papranueshëm një ligj që kufizon të drejtën themelore kushtetuese të garës për qytetarët. Ky ligj do ta kryejë funksionin e tij, vetëm në qoftë se merr besimin e klasës politike në përgjithësi dhe të opinionit publik. Përndryshe, mosbesimi ndaj ligjit do ta infektonte atmosferën elektorale, siç edhe ka ndodhur në zgjedhjet e mëparshme dhe do të prodhonte gjatë zgjedhjeve mosbesim ndaj rezultatit të votimeve, gjë që sigurisht do të rrezikonte standardin e vetë zgjedhjeve. Është e domosdoshme të hyjmë në zgjedhje me një ligj gjerësisht të besueshëm për të gjithë pjesëmarrësit”, - theksoi Mustafaj.
“Votojmë ligjet që garantojnë pavarësinë e gjyqësorit”
Lidhur me reformën në drejtësi, zoti Mustafaj e siguroi ambasadorin Borchardt se pjesa dërmuese e deputetëve demokratë janë të vendosur të votojnë një ligj që vetëm forcon pavarësinë e institucioneve të gjyqësorit, si kusht i pashmangshëm për ndërtimin e shtetit ligjor.
“Reforma në drejtësi ka për synim përmirësimin e funksionimit të krejt sistemit dhe jo hapa prapa”, - tha Mustafaj.
Ambasadori Bernd Borchardt u interesua edhe për ecurinë e fushatës zgjedhore në degën e Partisë Demokratike për Tiranën. Zoti Mustafaj e siguroi diplomatin e lartë se ai është i vendosur për të zhvilluar një garë serioze, e cila do t’i shërbejë demokratizimit të brendshëm të partisë dhe vitalizimit të strukturave të saj për të përballuar me sukses zgjedhjet parlamentare, që pasojnë, e ku Partia Demokratike duhet të fitojë një mandat të ri.
Temë e bisedës ishte edhe progres-raporti i Komisionit Evropian për vitin 2008, vlerësimet dhe problemet që shtrohen aty.