E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcat e Armatosura festojnë 99-vjetorin e krijimit të tyre

TIRANË- Forcat e Armatosura të Shqipërisë festuan sot 99 vjetorin e krijimit të tyre. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, përshëndeti nga Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes të gjithë oficerët, n/oficerët dhe punonjësit civil që kanë shërbyer dhe që shërbejnë në Forcat e Armatosura, me rastin e 99 vjetorit të krijimit të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare.
Ndërsa komandanti i KDS-së, Gjeneral Brigade Agim Lala, pasi bëri një retrospektivë të shkurtër përsa i përket Forcave të Armatosura që nga krijimi i tyre në 4 dhjetor të vitit 1912, periudhë kjo e cila përkon edhe me shpalljen e Pavarësisë, u shpreh se "sot, në këtë përvjetor, ne ndjejmë një krenari të ligjshme, jo vetëm se Forcat e Armatosura janë anëtarësuar në NATO, apo nivelet e larta operacionale që ato kanë treguar, por edhe për faktin se kemi trashëguar në vetvete vetitë më të mira të kësaj ushtrie që në moshë po i afrohet shekullit".
“Forca dhe vitaliteti i Forcave të Armatosura qëndron tek demokracia, tek liria. Një popull i lirë meriton një FA të denjë si një pjesë të rëndësishme të gjakut dhe shpirtit të tij. Duke qenë pjesë e rëndësishme e zemrës dhe shpirtit të popullit, ushtria jonë shpalos në këtë 99 vjetor vetitë më të bukura të popullit shqiptar si besnikërinë, guximin dhe dashurinë për atdheun”, nënvizoi komandanti i KDS, gjeneral Lala.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara me rastin e 99 vjetorit të krijimit të Ushtrisë Shqiptare, gjatë ditës së sotme ceremonitë vijuan edhe në Komandën e Forcave Tokësore, Ajrore dhe Detare, si dhe në Komandën e Mbështetjes Logjistike, Rajonale, Baza Ushtarake etj., ku prej vitesh kanë shërbyer e shërbejnë ushtarakë të Forcave të Armatosura.
Në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen me rastin e 99 vjetorit të Ushtrisë Shqiptare, më datë 8 dhjetor 2011, në Pallatin e Kongreseve do të organizohet edhe një koncert me titull “Kënga Epike”, ku do të marrin pjesë zërat më të njohur të muzikës shqiptare.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›