E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrahu 72-vjeçarin, pezullohet nga puna efektivi i policisë

POGRADEC -Një polic i komisariatit të Pogradecit ka dhunuar një 72-vjeçar, ndërkohë, pas ankesës së viktimës dhe paraqitjes nga ana e tij të raportit mjeko-ligjor, titullarët e policisë kanë firmosur pezullimin nga detyra të policit deri në sqarimin e plotë të ngjarjes. Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se "viktimë e dhunës është 72-vjeçari Kristo Krëste, banor i lagjes nr.4 të qytetit të Pogradecit, ndërsa polici i akuzuar për këtë dhunë është 30 vjeçari Kliti Poce, punonjës për rendin e sigurinë në zonë". Burimet zyrtare të policisë pohojnë se hetimi për ngjarjen, parapritë me pezullimin e policit, nisi me denoncimin e 72-vjeçarit.
NGJARJA
"Polici Poce më goditi me grusht në fytyrë, vazhdoi më tej të më dhunonte teksa më mbylli në një dhomë ku më ka goditur dhe në prezencë të tre kolegëve të tij. Gjithçka me pretendimin e tij se e shava nga nëna, gjë që unë nuk e kam bërë, pasi sherrin e kisha me fqinjin që më kërcënonte me thikë që të hiqja një gardh ndarës. Vajta në spital, mora raport dhe sot(të dielën), më pranuan denoncimin në polici!". Kështu ka denoncuar dje para bluve të Korçës 72-vjeçari Krëste. Burime nga grupi hetimor thonë se ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes së shtunë në afërsi të banesë së 72-vjeçarit. Një konflikt mes tij dhe fqinjit(për gardhin ndarës), ka bërë që polici Poce të shkojë në vendin e ngjarjes. Për situatën, ai ka kërkuar shoqërimin e palëve në organ. Por sipas Pocit, kjo është kundërshtuar. Në këtë moment acarimi, 72-vjeçari pretendon se është goditur me grushta nga polici.
"Më goditi në prani dhe të policëve të tjerë. Policët e tjerë u përpoqën të më ndihmonin, por e patën të pamundur. Thash se më vdiq në vend. Pastaj më mbylli në dhomë ku prapë më godiste. Dje në komisariatin e Pogradecit, nuk ma pranuan denoncimin. E pranuan sot(të dielën) pasi telefonuam në Korçë e Tiranë. Polici është mik i fqinjit tim. Shkova në spital dhe u mjekova. Kërkoj të zbatohet ligji",- pohoi viktima.
POLICIA
"Pas ngjarjes, bëmë pezullimin e policit. Ai e mohon dhunën duke thënë se u përplas me murin. Për rastin po heton dhe SHKB",- pohuan drejtues të policisë së Korçës. Mjekët e spitalit të qytetit konfirmuan rastin dhe gjendjen shëndetësore të 72-vjeçarit. Ata shtuan se në përfundim të hetimeve, pritet të zbardhet plotësisht ngjarja. Sipas tyre, "ai erdhi i gjakosur, me fraktura në kokë e çarje në fytyrë, ndërsa pas ndihmës mjekësore, ndodhet jashtë rrezikut për jetën".

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›