Berisha: Mbajtëm premtimet, po ecim drejt mandatit të dytë
Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje Bashkinë e Kamzës, nga ku deklaroi se kjo mazhorancë po ecën drejt një mandati të dytë. Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, Berisha inauguroi disa vepra publike në Kamëz, të cilat përbëjnë një trefishim të investimeve në këtë bashki. Përpara qytetarëve të Kamzës, lideri i mazhorancës u kërkoi votën jo për ato që kjo qeveria ka realizuar, por për projektin e katër viteve në vijim. Berisha shtoi se kjo qeveri mbajti premtimet, çka përbën një besim të një politike ndryshimi të mëtejshëm të Shqipërisë në vitet e ardhshme. “Ne po shkojmë drejt mandatit të dytë dhe dua t’ju them dy gjëra. Askujt nuk ia kërkojmë votën për këto që kemi bërë, por kërkojmë të na besojnë për ato që do të bëjmë, sepse ne vijmë para jush me fjalë të mbajtura, vijmë para jush me premtime të realizuara, ne vijmë para jush me moralin e një politike, e cila nuk mashtron, me moralin e një politike që ju vendos ju, hallet, dertet, fëmijët dhe jetën tuaj në epiqendër të përpjekjeve tona”, - deklaroi Kryeministri. Duke folur për alternativat politike, Berisha u kërkoi qytetarëve të bëjnë një dallim mes politikës së majtë dhe asaj të djathtë. “Të dyja flasin për ndryshimet”, - tha ai, duke kërkuar të bëhet një dallim mes asaj që kjo qeveri bëri, premton dhe politikës së mashtrimit në krahun tjetër. “Ne ju themi se dyfishimi i pensioneve në fshat është ndryshim, kurse pala tjetër thotë se pensionet nuk do të dyfishohen në fshat. Unë jam i bindur se ju në mençurinë tuaj do të dini të dalloni se cili është ndryshimi dhe cili është mashtrimi”, - tha Berisha. Kreu i qeverisë tha më tej se rruga e ndryshimit nuk ka qenë e lehtë, por premtoi punë nga ana e kësaj mazhorance, ndërkohë që sipas tij, krahu tjetër brohoret “Rroftë e keqja!”. “Rruga nuk ka qenë e lehtë, sepse jemi përballuar me një platformë, në të cilën, nga mëngjesi deri në darkë, me mediat që janë në kontroll të plotë, brohoritej “Rroftë e keqja!”, “Poshtë Shqipëria!”. Nuk ka vend që të mos ketë probleme, por merita e qytetarëve të vërtetë është t’i përvishen dhe t’i zgjidhin ato dhe ne këtë kemi bërë”, - deklaroi Kryeministri. Kreu i qeverisë mori pjesë në përurimin e disa veprave infrastrukturore në këtë bashki. Në Kamëz u përurua godina e kopshtit të ri, investim me vlerë 34 milionë lekë, godina e re e komisariatit të policisë, investim me vlerë 104 milionë lekë dhe rikonstruksioni i stadiumit të qytetit, me vlerë 45 milionë lekë. Duke folur përpara qytetarëve të Kamzës, Kryeministri premtoi trefishim të investimeve në këtë bashki. “Unë ju garantoj se qeveria ime do të shumëfishojë investimet, gjersa ju të jeni një nga qytetet më të zhvilluara e më të begata të Shqipërisë”, - premtoi Kryeministri.
Berisha, lojtari numër 10 në ekipin e Kamzës
Gjatë vizitës së djeshme në qytetin e Kamzës, Kryeministri Sali Berisha u takua edhe me lojtarët e ekipit të futbollit. Kreu i qeverisë inauguroi stadiumin e ri në këtë qytet një fushë futbolli me të gjitha standardet. Lojtarët e ekipit i dhuruan Kryeministrit bluzën me numrin 10 të ekipit të tyre, me emrin Berisha sipër saj. Kryeministri Berisha falënderoi lojtarët për dhuratën, duke u thënë se nuk është shumë i apasionuar pas futbollit. Gjithsesi, Berisha nisi topin e parë të lojës në ndeshjen e djeshme.