Rregullat dhe procedurat për marrjen e vendimit për caktimin e pensionit
Vendimi për caktimin e pensionit është akt juridik administrativ që merret nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore (DRSSH) në mbështetje të Ligjit Nr.7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Në vendim caktohet lloji i pensionit, masa e tij dhe afati i pagesës. Njëkohësisht me vendimin plotësohet edhe formati i shkurtimit të vendimit, sipas llojit të pensionit. Ky format firmoset nga kryetari i Degës së Përfitimeve, kryetari i Degës së Financës, drejtori i DRSSH-së dhe vuloset me vulën e DRSSH-së. Vendimi për caktimin e pensionit plotësohet sipas kërkesave që ka formati përkatës. Vendimi merr numrin e regjistrit të kërkesave për pension të DRSSH-së, ndërsa si datë shënohet data e plotësimit të vendimit. Për pensionet për nënat me shumë fëmijë dhe për pensionet familjare, në pjesën e posaçme të vendimit shënohen fëmijët e lindur dhe të rritur deri në moshën 8 vjeç ose anëtarët e familjes që
përfitojnë pension familjar. Në vendim caktohet dhe afati i pagesës së pensionit si vijon: Për pensionet e pleqërisë dhe për pensionin familjar, në rastet kur anëtari i familjes që përfiton pension është mbi moshën për punë që përcakton ligji, caktohet i përhershëm; për të ardhurën shtesë për fëmijën në ngarkim dhe për kompensime të tjera që marrin edhe pensionet e pleqërisë, afati do të vendoset sipas rastit; pensioni i invaliditetit, deri në datën e mbarimit të afatit të caktuar të vlerësimit të aftësisë për
punë, me vendim të KMCAP-it; për pension familjar për jetimët, afati i pagesës caktohet deri në datën kur jetimi më i madh plotëson moshën 18 vjeç dhe për ata që janë mbi moshën 18 vjeç e vazhdojnë shkollën, deri në një muaj pas datës së fillimit të vitit të ri shkollor, por në asnjë rast më shumë se data e mbushjes të moshës 25 vjeç; për të ardhurën shtesë për fëmijën në ngarkim, për personat që përfitojnë pension invaliditeti të plotë, sipas nenit 35 të Ligjit Nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, vendoset data e plotësimit të moshës 18 vjeç të fëmijës më të rritur. Kur anëtarët e familjes që marrin pension familjar, kërkojnë që të ndahet e të paguhet i veçantë për secilin, nuk merret vendim tjetër, por në vendimin ekzistues bëhen shënimet për ndarjen e pensioneve. Në këto raste, nuk hapet një dosje tjetër, por vetëm plotësohet kartela, urdhër pagesa e libreza e pensionit e veçantë për aq pjesë sa është ndarë pensioni. Këto mbajnë të njëjtin numër të pensionit me fraksione “a”, “b”, etj. Kur njëri nga anëtarët e familjes që merr pension banon në një rreth tjetër dhe kërkon që pensioni t’i paguhet në atë rreth, DRSSH-ja që ka caktuar pensionin bën ndarjen e tij, plotëson kopjen e vendimit për caktimin e pensioneve të firmosur e vulosur sipas rregullave dhe ia dërgon DRSSH-së ku banon i interesuari. Vendimi për caktimin e pensionit nënshkruhet nga inspektori përpunues, kryetari i Degës së Pensioneve, kryetari i Degës së Financës, drejtori i DRSSH-së dhe vuloset me vulën e DRSSH-së. Në vendim nuk lejohet të bëhen korrigjime. Kur i interesuari nuk është dakord me vendimin e DRSSH-së për caktimin ose moscaktimin e pensionit, ai ka të drejtën e ankimimit sipas Ligjit Nr.7703, datë 11.5.1993 “Për
Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
8 Qershor 2010