E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcat ruse vranë 10 kryengritës çeçenë

Agjencia ruse, Interfax, raportoi se 10 kryengritës, përfshirë një shtetas jordanez, janë vrarë gjatë një operacioni të forcave ruse në Çeçeni.

Një zyrtar i forcave speciale të Rusisë, tha se operacioni u bë në malin në rajonin Vedeno, në pjesën jugperëndimore të Çeçenisë.

Shtetasi jordanez është identifikuar si Jasir Amarat, udhëheqës i dyshuar i kryengritësve.
Në ndërkohë, zyrtarët rusë kanë njoftuar se kanë arrestuar një militant, për të cilin u theksua se ka qenë udhëheqës i kryengritësve në Ingusheti dhe i cili fajësohet për ndërmarrjen e një varg sulmesh në rajonin e Kaukazit.

Militanti, i njohur me nofkën e tij të luftës, Magas, është dërguar në Moskë dhe arrestimi i tij është një sukses i rrallë për forcat ruse, pasi që udhëheqësit e kryengritësve në Kaukaz zakonisht vriten gjatë përleshjeve të armatosura me forcat e sigurisë.

“Forcat federative të sigurisë kanë ndërmarrë një operacion special, gjatë së cilit është arrestuar njëri prej udhëheqësve të kryengritësve në Kaukazin Verior. Emri i tij është Tazijev, apo siç njihet edhe ndryshe me nofkën Magas”, tha udhëheqësi i shërbimit të brendshëm rus FSB, Aleksandër Bortnikov.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›