Forcat shqiptare jashtë vendit lejohen të vrasin guerilët armiq
Forcat shqiptare, që ndodhen jashtë vendit me misione paqeruajtëse mund të përdorin armët e tyre nëse e ndien veten në rrezik. Për këtë Ministria e Mbrojtjes ka dërguar në Kuvend një projektligj të ri "Për përdorimin e armëve të zjarrit", që do të vendosë rregulla të reja angazhimi. Arsyeja e miratimit të një ligji të tillë, madje me urgjencë, është fakti se në muajin korrik do të dërgohen misione shqiptare ushtarësh, të cilët do të përfshihen në aksione luftarake me armikun. Ligji do të detyrojë Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura që të miratojë një sërë rregullash të reja angazhim, të përafërt me vendet e NATO-s. "Në rrethanat që gjenden trupat tona, sipas rastit" mund të lindë nevoja e përdorimit të forcës ndaj subjekteve të ndryshme, kjo pasi tashmë është e ditur se forcat guerile apo ato terroriste përdorin çfarëdo mjeti për të arritur qëllimet e tyre, përfshirë edhe gratë, fëmijët apo dhe të moshuarit dhe jo gjithmonë është e mundur të paralajmërosh dikë që po të sulmon me zë të lartë e të qartë, sa të krijosh bindjen se paralajmërimin e kanë dëgjuar", thuhet në relacionin e ligjit dërguar në Kuvend. Sipas relacionit, Ministria e Mbrojtjes po përgatit misione të reja për në Afganistan, që do të përfshihen në luftë dhe aksione. "Ky projektligj duhet të miratohet me urgjencë, duke qenë se këto trupa janë planifikuar të dërgohen në mision brenda muajit korrik 2010", thuhet më tej në relacion. Sipas projektligjit, do të hartohen rregulla të reja angazhimi, sipas kritereve që kanë vendet e NATO-s. "Këto rregulla angazhimi në vetvete janë një tërësi rregullash dhe direktivash të detyrueshme për t'u zbatuar në një operacion, apo në një mision specifik. Ato ravijëzojnë rrethanat dhe limitet në të cilat Forcat e Armatosura mund të nisin dhe vazhdojnë veprimet luftarake, pra kur u lejohet të përdorin forcën dhe të ndërmarrin masa shtrënguese, përfshirë këtu edhe forcën vdekjeprurëse ndaj forcave të armikut", thuhet më tej në relacionin e ligjit dërguar në Kuvendin e Shqipërisë për t'u miratuar në mënyrë urgjente.