Basha: Bashkia, skema të dështuara për trafikun
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha i bëri thirrje dje Bashkisë së Tiranës të zgjidhë sa më shpejt situatën me trafikun në kryeqytet. Në të kundërt, sipas tij, Qeveria qendrore do të veprojë për të zhbllokuar situatën. "Kërkohet një përgjegjësi më e lartë nga ana juaj për të menaxhuar sipas ligjit dhe në interesin më të mirë të qytetarëve situatat, në veçanti në prag të sezonit turistik. Ju siguroj dhe gjej rastin të siguroj dhe autoritetet e Bashkisë së Tiranës, se siç ka qenë Policia Rrugore do të vazhdojë të mbetet në dispozicion. Por mos t'i marrë për shërbyes, të cilët kanë për detyrë të pastrojnë rrëmujën që shkakton si një fëmijë i vogël, përdorimi me papërgjegjshmëri i kompetencave nga zyrtarët e Bashkisë së Tiranës", tha Basha. Sipas tij, "në të kundërt ne do të veprojmë për të zhbllokuar këtë situatë të papranueshme, tërësisht joeuropiane, të paqytetëruar dhe me efekte negative për imazhin dhe për realitetin e sezonit turistik, të cilin e presim me shumë kënaqësi të fillojë në Tiranë dhe kudo tjetër në Shqipëri". Duke folur në një takim me krerët e pushtetit vendor, Basha kërkoi që vendosja e sistemit të adresave në të gjithë vendin të mbyllet brenda qershorit 2010. "Vendimet për emërtimet e rrugëve dhe pjesëve të tjera publike të territorit duhet të përfundojnë jo më vonë se fundi i muajit qershor 2010. Ministria e Brendshme e konsideron të papranueshme që përfundimi i kësaj detyre mbahet peng nga mungesa e vendimmarrjeve në këshillat tuaj për rrugët akoma të paemërtuara. Kjo situatë është akoma më e papranueshme dhe e patolerueshme në njësitë ku puna ka disa muaj që ka përfunduar", theksoi Ministri i Brendshëm.