Forcat siriane arrestojnë qindra persona
Forcat siriane të sigurisë kanë arrestuar qindra aktivistë dhe protestues anti-qeveritarë gjatë bastisjeve të shumta shtëpi më shtëpi në të gjithë vendin.
Presidenti Bashar al Asad ka shpërndarë trupat e ushtrisë dhe tanket për t`i dhënë fund shtatë javëve të protestave kundër rregjimit 40 vjeçar të familjes së tij.
Aktivistët e të drejtave të njeriut raportojnë se janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në rrethinat e Damaskut, ndërsa qindra persona janë arrestuar në kryeqytet.
Rami Abdul-Rahman, drejtor i organizatës siriane Observatory for Human Rights tha se mbi 250 persona janë arrestuar në qytetin e Banias.
Grupe të të drejtave të njeriut raportojnë se mbi 800 persona janë vrarë në Siri që nga fillimi i protestave në muajin mars.