E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama kërkon arrestimin e prokurorit të Kavajës

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar në gjykatë arrestimin e prokurorit Musa Malkurti, i denoncuar publikisht nga emisioni "Fiks Fare" në "Top Channel" për marrje ryshfeti. Por, gjykata ka vendosur hetimin dhe gjykimin e Musa Malkurit, ish-prokuror i Kavajës i pezulluar disa javë më parë nga Ina Rama, nën masën e "detyrim paraqitje". Me anën e një njoftimi për shtyp, bazuar në regjistrimet e shfaqura ne emisionin "Fiks Fare" të transmetuar në kanalin televiziv "Top Channel" me datë 20 shkurt 2008, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të "Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë". Sipas organit të akuzës, regjistrimet e transmetuara më datë 20 shkurt 2008 përmbajnë një bisedë të regjistruar ndërmjet shtetasit Zagoll Muci dhe prokurorit të Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Kavajë, Musa Malkurti, ku nga ana e këtij të fundit pranohet se ka marrë një shumë prej 2.000 euro në këmbim të uljes së masës së dënimit të kërkuar për djalin e shtetasit, Zagoll Muca, të pandehurin Sel Muci. Gjithashtu, në këtë aferë ishte i përfshirë dhe avokati Pjetër Ndreca, i cili luante rolin e ndërmjetësit. Sipas njoftimit të djeshëm të akuzës qendrore, në datë 7 mars 2008 nga Prokuroria e Tiranës është kërkuar caktimi i masës së sigurimit "arrest në burg" për Musa Malkurtin. Gjykata me vendimin Nr.311 në datën 9 mars 2008 ka vendosur caktimin si masë sigurimi personal për shtetasin Musa Malkurti, atë të "detyrimit për t‘u paraqitur në policinë gjyqësore". Pas hetimeve të zhvilluara, në datë 6 qershor 2008 është vendosur dërgimi për gjykim i këtij procedimi penal në ngarkim të të pandehurve Musa Malkurti i akuzuar për kryerjen e veprës penale të "Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë" dhe Pjetër Ndreca i akuzuar për kryerjen e veprës penale të "Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›