Tentativa e pengmarrjes, pranga tre autorëve
Arrestohen tre agresorë të 45-vjeçarit, i cili u tentua të merret peng në qendër të Tiranës, ndërkohë që është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe një femër. Akuza e katër personave të proceduar penalisht është ajo e plagosjes së rëndë me dashje. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës bënë të ditur se specialistët e strukturave të hetimit të krimit kanë mundësuar në një kohë të shpejtë, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar të plagosjes së rëndë me dashje të shtetasit Novruz Kaja. 45-vjeçari u godit mesditën e së dielës me sende të forta, pranë Xhamisë së Et‘hem Beut në Tiranë. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të strukturave të policisë bashkiake dhe më pas të policisë së rendit, u mundësua parandalimi i një ngjarjeje, nga ku u kryen veprimet hetimore dhe procedurale nga grupi hetimor i formuar për zbardhjen e rrethanave të kësaj plagosjeje të rëndë. Pas identifikimit të autorëve të dyshuar u arrit lokalizimi i tyre, të cilët janë shtetasit Arben Rahman Spaho, 33 vjeç, Albert Sulejman Tereziu, 19 vjeç, dhe Xhentil Xhevahir Kupe, 32 vjeç. Ndaj tyre u mor masa e menjëhershme e arrestit, ndërkohë që i dëmtuari ndodhet në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën. Sipas të dhënave nga policia, ngjarja ka ardhur pas një konflikti mes personave, të cilët njiheshin me njëri-tjetrin. Ata kanë qenë duke luajtur poker dhe i dëmtuari u kishte mbetur para borxh shokëve të tij. Në këto kushte, ata kanë tentuar ta fusin në makinë 45-vjeçarin dhe kur nuk ia kanë dalë mbanë, e kanë goditur atë me mjete të forta. Ndërsa Arben Spaho do të procedohet edhe për konsumimin e veprës penale të shfrytëzimit të prostitucionit ndaj Dimentila Zh., i cili u kap nën shoqërinë e kësaj të fundit.