E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcat turke ndërmarrin sulme në Irak

Aeroplanët luftarak të Turqisë kanë bombarduar pozicionet e kryengritësve kurdë në veri të Irakut, kanë njoftuar mediet dhe ushtria turke.

Në këtë sulm kanë qenë të angazhuar mbi 20 aeroplanë, të cilët kanë sulmuar mbi 50 shënjestra në luginën Zab, në veri të Irakut, njoftoi kanali televiziv, NTV.

Edhe agjencia e lajmeve Anatolian njoftoi për sulme kundër kryengritësve kurdë në veri të Irakut.

Kjo agjenci njoftoi se “një grup terrorist” është vërejtur duke ju afruar kufirit të Turqisë dhe se aeroplanët sulmuan këtë grup, gjatë operacionit i cili zgjati katër orë.

Një zyrtar i ushtrisë turke refuzoi të komentojë këto informata:”Për momentin nuk mund të themi asgjë”.

Më 8 maj, forcat turke ndoqën kryengritësit kurdë në veri të Irakut, duke vrarë me këtë rast së paku pesë kryengritës.

Përleshjet në pjesët juglindore të Turqisë janë më të shpeshta gjatë pranverës dhe verës, si rezultat përmirësimit të kushteve atmosferike për kryengritësit.

Qeveria e Irakut ka protestuar kundër aksioneve tokësore të forcave turke, të cilat kanë për qëllim çrrënjosjen e pjesëtarëve të organizatës së ndaluar kurde, PKK.

Në shkurt të vitit 2008 ushtria turke ndërmori një ofensivë tokësore, në të cilën ishin të angazhuar mbi 10 mijë ushtarë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›