E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKI miraton rezolutë për situatën në Kosovë

Në seancën përmbyllëse të Ministerialit të Organizatës së Konferencës Islamike, mbajtur në Dushanbe, Taxhikistan, ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare kanë miratuar Rezolutën e re “Mbi Situatën në Kosovë”.

Në konferencë mori pjesë edhe zëvendëskryeministri, njëherit ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ilir Meta.

Rezoluta, e cila është iniciuar nga Shqipëria dhe miratuar me unanimitet të plotë nga 57 shtetet anëtare të OKI-së, ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe përbën një sukses të madh për Kosovën dhe njohjen e saj të mëtejshme, thuhet në një komunikatë shtypi të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

OKI i referohet në dokumentin e saj, deklaratës së pavarësisë së Kosovës, dhe përmes kësaj rezolute evidenton qartë se që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë progres të dukshëm në ndërtimin e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik dhe integrimin në familjen evropiane. Rezoluta evidenton, gjithashtu, se Kosova është bërë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

“Rezoluta ‘Mbi Situatën në Kosovë’, është dëshmi e qartë e mbështetjes së fuqishme të vendeve anëtare të OKI-së ndaj shtetit të ri të Kosovës, të cilët vlerësojnë se pavarësia e saj ka krijuar një klimë paqësore me ndikim pozitiv në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, dhe ka kontribuar ndaj ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin”, ka thënë pas miratimit të Rezolutës, zv.kryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.

Rezoluta reflekton gjithashtu zhvillimet me te fundit në Kosovë, veçanërisht zgjedhjet e 15 nëntorit 2009, të administruara për herë të parë nga institucionet e Kosovës dhe të vlerësuara ndërkombëtarisht për klimën paqësore dhe rritjen e pjesëmarrjes së pakicës serbe në to; angazhimin e autoriteteve vendore e ndërkombëtare për forcimin e sundimit të ligjit dhe të rendit në të gjithë territorin e Kosovës, si dhe sigurimin e kushteve më të mira të jetesës për të gjithë qytetarët e saj.

Vendet anëtare të OKI-së, për herë të parë, mirëpresin përpjekjet e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës dhe të të gjithë Ballkanit Perëndimor, si një kontribut vendimtar për stabilitetin dhe prosperitetin rajonal.

“Miratimi i kësaj Rezolute, nga të gjitha vendet anëtare të OKI-së, veçanërisht nga ata që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dëshmon për një klimë të re në marrëdhëniet e OKI-së me Kosovën, duke na forcuar besimin se vende të tjera të kësaj Organizate pritet ta njohin shtetin e ti në të ardhmen e afërt”, ka shtuar Meta.

Në rezolutë, u bëhet thirrje vendeve anëtare të Organizatës dhe komunitetit ndërkombëtar, që të vazhdojnë të mbështesin forcimin e shtetit të Kosovës dhe ekonomisë së saj.

Rezoluta gjithashtu ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të OKI-së që në sesionet e radhës të Ministrave të Jashtëm të Organizatës të raportojë mbi dinamikën e zhvillimeve në Kosovë, duke e vendosur kështu shtetin e ri në agjendën e përhershme të OKI-së.

Ministri Hyseni përshëndet miratimin e rezolutës

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skender Hyseni, e ka përshëndetur miratimin e rezolutës për Kosovën në sesionin e 37-të të Organizatës së Konferencës Islamike, në Dushanbe të Taxhikistanit.

Ministri Hyseni ka falënderuar të gjitha vendet anëtare të Konferencës Islamike për votën unanime për rezolutën. Në veçanti, Ministri Hyseni me këtë rast falënderon diplomacinë shqiptare dhe përgjithësisht institucionet e Republikës së Shqipërisë për përkrahjen që po i japin Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Po ashtu, mirënjohje e veçantë me këtë rast i jepet iniciuesit, Republikës së Shqipërisë dhe sponsorizuesve të kësaj rezolute.

"Kalimi i kësaj rezolute është edhe një pranim dhe konfirmim i kontributit vital dhe të pazëvendësueshëm që pavarësia e Kosovës ka për paqen dhe stabilitetin në Ballkan", ka thënë ministri Hyseni, nëpërmes një komunikate shtypi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›