E Diel, 1 Nëntor 2026

Forcim i sistemit të drejtësisë miqësore ndaj fëmijëve

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Forcimi i sistemit të drejtësisë miqësore ndaj fëmijëve, ishte në qendër të Konferencës Kombëtare “Nga procedura te mbrojtja reale: drejtësia që i shërben fëmijëve”, të mbajtur sot në Tiranë.

Kjo Konferencë u zhvillua në kuadër të projektit “Youth Voice for Justice and Rights”, të zbatuar nga Terre des hommes Shqipëri dhe të financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim.

Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Shkollën e Magjistraturës, duke sjellë së bashku përfaqësues të institucioneve kyçe të drejtësisë, policisë, përmbarimit, shërbimit të provës, si dhe Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës.

Në hapje të konferencës përshëndetën zv.ministrja e Drejtësisë, Elona Hoxha, David Muckenhuber, kryetar i Zyrës së Koordinimit Rajonal të Ambasadës austriake për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe Enkelejda Kallçiu, drejtuesja e Terre des hommes në Shqipëri.

Zv.ministrja Hoxha u shpreh në fjalën e saj se, këto vite Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e drejtësisë për fëmijët.

Ajo përmendi miratimin e Kodit të Drejtësisë Penale për të miturit, ligjin për njohjen e të drejtave për fëmijët si dhe funksionimin prej disa viteve të qendrës për parandalimin e krimit të fëmijëve dhe të miturve.

Hoxha tha se ky kuadër ligjor ka shënuar një kthesë të qartë nga qasja ndëshkuese drejt një drejtësie rehabilituese, parandaluese dhe gjithpërfshirëse.

“Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me institucionet e tjera të sistemit, ka ndërtuar tashmë një kornizë strategjike të qartë për drejtësinë për të miturit”, tha Hoxha.

Kryetari i Zyrës së Koordinimit Rajonal të Ambasadës austriake për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, David Muckenhuber theksoi në fjalën e tij se, të drejtat e njeriut, përfshirja sociale dhe qasja në drejtësi janë në zemër të bashkëpunimit për zhvillim.

“Ne besojmë fort se forca e çdo shoqërie matet nga mënyra se si ajo trajton anëtarët e saj më të brishtë, që janë fëmijët, sigurisht. Ne jemi të bindur se mbështetja për Shqipërinë në këtë fushë nuk është vetëm një kontribut në reformat kombëtare, por është pjesë e angazhimit tonë të përbashkët europian për dinjitetin, barazinë dhe sundimin e ligjit”, tha ai.

Duk evidentuar rezultat e këtij partneriteti, Muckenhuber tha se ato janë vërtet frymëzuese.

“Më shumë se 1700 të rinj janë fuqizuar të shprehin mendimet e tyre; 60 mësues, punonjës socialë dhe zyrtarë vendorë janë trajnuar për të mbështetur pjesëmarrjen e të rinjve; dhe 59 prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore dhe koordinatorë të viktimave kanë forcuar aftësitë e tyre për të zbatuar praktika miqësore për fëmijët”, shtoi ai.

Ndërsa Enkelejda Kallçiu, drejtuese e Terre des Hommes në Shqipëri u shpreh se në qendër të konferencës së sotme është dialogu ndërinstitucional.

Gjatë punimeve u prezantua studimi kombëtar mbi zbatimin e të drejtave proceduriale për fëmijët në konflikt me ligjin, hartuar nga prof. Arben Rakipi dhe dr. Amarildo Laçi të Shkollës së Magjistraturës, i cili ofron një analizë të qartë mbi situatën aktuale, sfidat dhe rekomandimet për përmirësimin e praktikave gjyqësore dhe institucionale në vend.

Sa i përket rritjes së kapaciteteve të profesionistëve janë 164 profesionistë të trajnuar mbi përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve në proceset e vendimmarrjes, si dhe në rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin e dhunës dhe krimit.

59 profesionistë të drejtësisë kanë rritur kapacitetet mbi teknikat miqësore të intervistimit të të miturve viktima të abuzimit seksual dhe formave të tjera të rënda të dhunës.

55 profesionistë të drejtësisë janë trajnuar mbi protokollin e punës për kordinatorët e viktimave.

48 kandidatë për gjyqtarë dhe prokurorë në Shkollën e Magjistraturës kanë rritur kapacitetet në lidhje me teknikat e intervistimit të të miturve në proceset familjare/civile dhe penale dhe zbatimi i parimit të pjesëmarrjes së fëmijëve.

Gjithashtu falë projektit është krijuar një hapësirë miqësore për fëmijët pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit Tiranë, për të siguruar ofrimin e shërbimit të intervistimit/këshillimit psikologjik të të miturve dhe familjeve për ekzekutimin e vendimeve me objekt “Takim fëmije”.

Po ashtu, janë 19 organizata rinore të fuqizuara drejt hartimit dhe pilotimit të nismave lokale që synojnë fuqizimin dhe pjesëmarrjen aktive të fëmijëve dhe të rinjve.

Panelet e diskutimit trajtuan çështje si rëndësia e trajnimit fillestar dhe vazhdues të profesionistëve të drejtësisë, zbatimi i procedurave miqësore ndaj fëmijëve gjatë hetimit dhe gjykimit, masat alternative ndaj dënimit me burg, si dhe nevoja për bashkëpunim institucional në garantimin e të drejtave të fëmijëve.

Në konferencë morën fjalën përfaqësues nga Shkolla e Magjistraturës, Akademia e Sigurisë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Gjykata Kushtetuese, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Shërbimi i Provës, Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit dhe Agjencia për Mbrojtjen e Fëmijës.

Konferenca u mbyll me një sesion rrjetëzimi dhe shkëmbimi përvojash mes pjesëmarrësve, duke theksuar rëndësinë e një sistemi drejtësie që jo vetëm respekton, por edhe mbron në mënyrë efektive të drejtat e fëmijëve në çdo hap të procesit ligjor.

Konferenca Kombëtare “Nga procedura te mbrojtja reale: drejtësia që i shërben fëmijëve” - Foto:... 1 nga 5

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›