“Forcim të faktorit shqiptar në rajon dhe afrim të mëtejshëm të shqiptarëve me BE”
Ministri i Jashtëm, Panariti takim me përfaqësuesi të spektrit politik shqiptar në rajon
Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti priti dje në një takim përfaqësues nga gjithë spektri politik shqiptar në rajon, nga Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonia e Mali i Zi. Duke përshëndetur përfaqësuesit politikë shqiptare nga vendet e rajonit, Ministri Panariti theksoi se ky takim kishte si synim afrimin e shqiptarëve në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Ai nënvizoi se ky është një rast për të diskutuar çështjet me interes të përbashkët siç janë: integrimi në familjen europiane, bashkëpunimi rajonal dhe ndarja e pikëpamjeve për zhvillimet e brendshme në vendet respektive. Ministri Panariti informoi në lidhje me rolin që ka luajtur diplomacia shqiptare në zhvillimet e fundit në rajon. Ai informoi dhe për takimet e tij të shumta që nga marrja e detyrës, të cilat janë fokusuar kryesisht drejt zgjerimit të bashkëpunimit të Shqipërisë me vendet e rajonit, forcimit të faktorit shqiptar në rajon dhe afrimit të mëtejshëm të shqiptarëve me BE dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë.
Në vijim, ministri Panariti informoi për procesin e reformave në kuadrin e rekomandimeve të Komisionit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ministri Panariti bëri thirrje që faktori shqiptar të jetë i unifikuar në realizimin e objektivave me interes madhor kombëtar dhe të forcojë përpjekjet për të qenë faktor stabiliteti në rajon, pasi kështu rritet dhe vlerësimi i këtij faktori nga komuniteti europian dhe ai ndërkombëtar. Ai theksoi se në agjendën e tij si Ministër i Jashtëm ka qenë një prioritet i veçantë lobimi për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe ruajtja e integritetit dhe sovranitetit të plotë të saj. Ndërkohë, përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në rajon kërkuan vazhdimin e përpjekjeve të diplomacisë shqiptare për sensibilizimin e komunitetit ndërkombëtar në drejtim të mbrojtjes së interesave të shqiptarëve në rajon. Ata kërkuan forcimin e stabilitetit të brendshëm politik dhe ekonomik të Shqipërisë, pasi në këtë mënyrë do të rritet pesha e saj në rajon dhe më gjerë dhe do të mbrohen më mirë interesat e shqiptarëve në rajon.