E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeverisja me PD rezultoi e suksesshme, edhe pse u nis nga rrethana që thyen përfundimisht tabu”

28-10-2012 / Gazeta 55

Konventa Zgjedhore e LSI-së - Ilir Meta apelon: “Stop politikës bllokuese – të çelet rruga e integrimit në BE”

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi dje Konventën Kombëtare Zgjedhore në Pallatin e Sportit, “Asllan Rusi” në Tiranë. Gjatë punimeve të Konventës, që është dhe forumi më i lartë i kësaj force politike, u votua për zgjedhjen e Komitetit të ri Drejtues, miratimin e ndryshimeve në dy dokumente bazë të funksionimit të LSI-së, statutit dhe programit politik, në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Punimet e Konventës u hapën nga nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili i cili do të shprehej se, Konventa zhvillohet në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. “Forumi ynë, do të jetë një kontribut i ri që ky proces të ecë më shpejt duke e zhvilluar kredon tonë të integrimit. Integrimi duhet të jetë një proces që do të realizohet përmes konstruktivitetit dhe dialogut”, theksoi Vasili.
Në prani të trupit diplomatike të akredituar në Tiranë, ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, atij të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi etj., kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në fjalën e tij, shprehu mirënjohjen për kontributet e kësaj force politike në qeverisje dhe duke e vënë theksin tek axhenda kombëtare e integrimit, koalicioni qeverisës dhe çështja çame. Ai tha se në vëmendje të LSI-së ka pika delikate që presin zgjidhje, si çështja çame për të cilën Meta njoftoi se LSI do të nisë një bashkëpunim të frytshëm me PDIU për të zgjidhur përfundimisht çështjen çame. “Zgjidhja e drejtë e çështjes çame ka qenë pjesë e programit tonë politik që në ditën e parë të themelimit. Komuniteti çam është një komunitet i cili jo vetëm përjetoi një gjenocid të paparë dhe të padëgjuar të asaj periudhe të errët, por ky komunitet për 50 vite nuk u integrua, nuk u vlerësua përkundrazi u margjinalizua në mënyrë të padrejtë. Ky është një komunitet i cili me të drejtë kërkon një zgjidhje të drejtë të çështjes çame. Kërkon një zgjidhje e cila jo vetëm mbyll një plagë të së kaluarës por kërkon edhe një zgjidhje që bazohet në konventat ndërkombëtare dhe europiane, kërkon një zgjidhje në frymën evropiane. Ndaj dhe ne do të vazhdojmë të angazhohemi për këtë çështje duke bashkëpunuar ngushtë me këtë komunitet dhe me forcën politike që përfaqëson, PDIU-në, e cila ka bërë një punë të çmuar për ta bërë të njohur këtë çështje në Strasburg dhe Bruksel, në Uashington dhe Nju Jork, sepse zgjidhja e kësaj çështje i forcon dhe i betonon marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë”, u shpreh Meta.
Një tjetër pikë e rëndësishme për kryetarin e LSI-së, është integrimi i vendit në Bashkimin Evropian. Ai i bëri thirrje partive politike që t’i japin fund politikave bllokuese dhe t’i hapin rrugë integrimit të vendit. “Sot Shqipëria është më afër se asnjëherë tjetër për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, një arritje historike që hap derën e anëtarësimit tonë. Ajo që na motivon fuqishëm në këtë sfidë të rëndësishme është pa dyshim axhenda jonë evropiane, është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ne duam një ritëm të ri të avancimit të kësaj axhende. Sot tre vite më pas, jemi më pranë se kurrë vendimit të marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Por, na duhet vetëm të votojmë dy ligje dhe një rregullore, që janë të standardeve evropiane dhe që presin në sirtarët e Kuvendit për muaj dhe për javë të tëra. Është një situatë absurde e prodhuar nga politika e konfliktit dhe krijimit të mureve ndarës. Është koha të rrëzojmë mure dhe të ndërtojmë ura. Ne themi që ‘gur, gur bëhet mur’ por, ‘gur, gur bëhet edhe urë’. Ndaj të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi sepse kështu është më mirë për të gjithë  dhe në radhë të parë për vendin dhe për qytetarët tanë. Është e domosdoshme që kryeaxhendë e gjithë forcave politike të jetë jo vetëm në program por edhe në veprime konkrete integrimi europian i vendit, duke ndërmarrë hapa konkrete sikurse është edhe votimi me konsensus i këtyre tre akteve që mezi priten nga të gjithë. Ndaj ne i ftojmë të gjithë forcat politike, të majta e të djathta, që të ndajnë qartazi interesin partiak dhe politikës së ditës, nga interesi madhor i çdo shqiptari, integrimin në Bashkimin Europian. Ndaj ne sot i themi ‘mjaft’ papërgjegjshmërisë politike, sepse Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur. Sfida jonë e madhe është Europa”, tha ai.
Kreu i LSI-së vuri në dukje se qeverisja me PD ka rezultuar një sukses dhe pse u nis nga rrethana që thyen përfundimisht tabu. Meta premtoi se dhe në vitet që vijojnë do të kemi një LSI më të fortë, me qeverisje të qëndrueshme e që synon mirëqenien e qytetarëve. “Tre vjet më parë pas zgjedhjeve të vitit 2009, morëm një vendim shumë të vështirë në atë kohë, hodhëm një hap shumë të guximshëm dhe vizionar, i cili qëndroi kohës, vendosëm të thyejmë një tabu në emër të stabilitetit dhe integrimit të vendit, ç’tensionuam politikën dhe kontribuuam për të zgjeruar konsensusin politik për çështje madhore të vendit dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë pa u lodhur dhe me durim, dhe me forcë edhe në të ardhmen. Sot tre vjet pas krijimit të koalicionit qeverisës për integrim qytetarët shqiptarë lëvizin lirisht dhe pa viza në hapësirën ‘Schengen’, duke shembur një mur ndarës, historik, njerëzor, kulturor dhe ekonomik, dhe askush më mirë se shqiptarët nuk i ka respektuar detyrimet që sjell ky hap madhor. Sot institucionet janë më të qëndrueshme, ligjet janë më të mira dhe më gjithëpërfshirëse dhe aty është edhe kontributi ynë i përbashkët”, tha ai.
Për sa i përket aleancave të reja, Meta u shpreh se në momentin e duhur do të jetë pikërisht konventa që do të marrë vendimin. “Gjatë këtyre tetë viteve kemi treguar se duam dhe dimë të bashkëpunojmë. E kemi treguar këtë me PS, po e tregojmë me PD, me PDIU, PBDNJ dhe gjithë forcave të tjera politike në vend. Se çdo të bëjë LSI në qershor të vitit 2013, ky nuk do të jetë një vendim as i Ilir Metës, as i forumeve që do të zgjidhen këtu, po ky do të jetë një vendim që do të merret në kohën e duhur pikërisht nga kjo konventë”, tha Meta.
Ai përfundoi fjalimin e tij në Konventë me një apel drejtuar klasës politike, për përmbushjen e detyrimeve të statusit në 100 vjetorin e Pavarësisë. “Sot është koha të plotësojmë detyrimet për marrjen e statusit të vendit kandidat. Sot është koha të bashkohemi edhe më fort rreth kauzës tonë kombëtare dhe ëndrrës sonë të përbashkët evropiane në këtë 100 vjetor të pavarësisë”, përfundoi ai.

 
Nasip Naço: Me PD, LSI dëshmoi një filozofi të re bashkëpunimi

“Me Partinë Demokratike, LSI tregoi se për të mirën e vendit dhe përparimin e saj, forcat politike duhet të ngrihen mbi interesat partiake duke dëshmuar një filozofoi të ri bashkëpunimi”. Kështu u shpreh dje deputeti Nasip Naço, njëherësh nënkryetar i Kuvendit. Gjatë punimeve të Konventës Kombëtarë të LSI-së, Naço tha se “forca jonë politike vjen në këtë Konventë pas 3 vitesh qeverisje me PD, ndërsa kemi qenë dëshmitarë për akuzat që i janë bërë partisë sonë dhe lidershipit për këtë zgjedhje politike. Kjo nuk ka qenë një zgjedhje personale por një mendim i peshuar mirë dhe i konsultuar fort brenda dhe jashtë vendit. Koha na dha të drejtë që ne jemi Lëvizja Socialiste për Integrim”, theksoi ai. Më tej, ai tha se kjo forcë politike nuk lejoi, pavarësisht presioneve të ardhur nga shumë anë, që Shqipëria të shënohet me pikëpyetje në zyrën e BE-së, apo edhe më tej, te partnerët tanë strategjik, SHBA. “Ne morëm mbi vete kostot dhe rreziqet për këtë koalicion por ne i dhamë vendit stabilitet ekonomik dhe politik, heqjen e vizave në BE, marrjen e statusit të vendit kandidat, vizionin e ri për një politikë moderne dhe evropiane”, deklaroi Naço.

 
Lefter Koka: Promotorë të politikës shqiptare

Gjatë punimeve të Konventës Kombëtare të LSI-së, deputeti Lefter Koka shprehu bindjen se “LSI është dhe do të mbetet e tillë për shumë kohë, promotor e politikës shqiptare”. Ai tha se sot jemi më shumë, besojmë më shumë te njëri- tjetri, te LSI dhe te Shqipëria. “Dhe ajo që është më kryesorja është se shqiptarët besojnë më shumë te LSI”, deklaroi Koka. Deputeti i LSI-së, tha më tej se, “jam ndjerë krenar këto tre vite si deputet, por jam ndjerë i lumtur si deputet i LSI pasi kam jetuar dhe parë nga afër rolin e rëndësishëm të LSI-së në të gjitha proceset e integrimit të vendit në BE, me vështirësimin e situatave të panevojshme politike”.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›