E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Programi i LSI-së, programi Kombëtar i Integrimit”

28-10-2012 / Gazeta 55

Faktori politik shqiptar në rajon përshëndet Konventën e LSI

Punimet e Konventës së LSI u përshëndetën edhe nga spektri politik në rajon. Kështu, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, deputet i LDK-së, Arben Gashi, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, nënkryetari i AKR-së, Vegim Gashi, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, Rufi Osmani, kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare në Maqedoni, njëkohësisht kryetar i Komunës Gostivar, përcollën përshëndetjet e tyre për Konventën Zgjedhore të LSI-së. Gjithashtu, pjesë e këtij paneli ishin edhe Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës, Nagip Arifi, kryetari i Komunës së Bujanovcit, njëkohësisht përfaqësues i Partisë Demokratike si dhe nga Mali i Zi, Genci Nimanbegu, nënkryetari i Forcës së Re Demokratike. 14 delegacionet nga i gjithë spektri politik shqiptar në Rajon deklaruan në një zë, “Programi i LSI-së, Programi Kombëtar i Integrimit”! “Ne gëzohemi për këtë rritje, sepse LSI është një faktor që e ka shëndoshur gjendjen politike brenda vendit dhe ka ndikuar për mirë edhe në jetën e shqiptarëve në Maqedoni e më gjerë kudo ata jetojnë në trojet e tyre amtare. Ne urojmë që LSI të vazhdojë të kryejë misionin e saj si parti e integrimit jo vetëm e integrimit europian, por edhe integrimit të brendshëm, si parti e stabilitetit politik të vendit, si parti e krijimit të urave politike ndërpartiake aq të domosdoshme për Shqipërinë e sotme që e nesërmja e saj të jetë ashtu siç e dëshironi dhe po punoni ju veprimtarët e LSI”, u shpreh në fjalën e tij, kryetari i BDI, Ali Ahmeti. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi vlerësoi bashkëpunimin e PDK-së me LSI-në në interes të vendeve dhe qytetarëve në të dy anët e kufirit. “Unë besoj që partisë tuaj mbi të gjitha i shkon shumë mirë fjala integrim dhe unë i ftoj të gjithë shqiptarët për integrim në BE dhe në NATO. Ne duhet të punojmë edhe më shumë që jemi partneri më seriozë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të BE-së. Ne jemi ata që në Ballkan jo vetëm që kemi përfaqësuar dhe kemi përqafuar vlerat përfaqësuese europiane, por nëse e shohim luftën e Skënderbeut, kontributin e Nënë Terezës dhe mijëra të tjerëve, ne jemi mbrojtës të civilizimit europian. Dhe së fundmi, më lejoni t’ju uroj punë të mbarë ju shqiptarëve të Shqipërisë dhe gjithë kombit tonë. Dua ta përfundoj këtë fjalim me thënien ‘Për shqiptarët dielli lind në perëndim’, tha ai. Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Maqedonisë tha se kreu i LSI-së, Ilir Meta “ka vlera shumë të mëdha për të gjithë kombin, edhe për shqiptarët e Maqedonisë”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›