E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Investime, për të ndrequr projektet e gabuara që sjellin përmbytjen e Tiranës

28-10-2012 / Gazeta 55

Kryebashkiaku i kryeqytetit inspektoi zonat problematike nga reshjet e shiut

Investimet e gabuara dhe zhvillimi pa plan kanë bërë që situata në disa zona të qytetit të Tiranës të rëndohet nga reshjet e shiut, gjatë orëve të para të ditës së djeshme. Situatë e rënduar është paraqitur për 10  familje që jetojnë në zonën e Shkozës. Si pasojë e fryrjes së Lanës nga intensiteti i reshjeve të shiut dhe kuota më e ulët e kolektorëve, ka bërë që uji të vërshojë në oborret e këtyre banesave. Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha mblodhi menjëherë shtabin e emergjencës të Bashkisë së Tiranës, ku u morën masat emergjente për disa zona problematike. Në një prononcim për mediat Basha theksoi se “situata është nën kontroll. Reshjet e djeshme kanë përmbytur disa pika të nxehta të Tiranës, siç është rruga ‘Don Bosko’, kanë shkaktuar dëm në argjinaturën e Lanës, tek ura e Shkozës si dhe kanë shkaktuar përmbytje të përkohshme në disa pika të tjera të qytetit, por për momentin nuk kemi lajmërime për dëme të mëdha apo për futje uji në prona private. Aktualisht, grupi i punës po punon për eliminimin e pasojave të reshjeve aktuale, në dy pika të qytetit, ndërkohë që ka marrë udhëzime për të monitoruar situatën nga afër, pasi edhe në tre ditët e ardhshme, reshjet do të vazhdojnë të jenë të larta, deri në 60 mm shi, një sasi e madhe për qytetin e Tiranës”. Situata e përmbytjeve në qytet është minimale dhe nën kontroll dhe ne do të vazhdojmë të monitorojmë çdo cep të qytetit, duke marrë sipas rastit masat e nevojshme”, vijoi Basha. Në zonën e “Don Boskos”, situata përsëritet nga ndërtimi i kolektorit mbi nivelin e rrugës. Ndërhyrja emergjente e ndërmarrë afro një vit më parë, ka sjellë një përmirësim të situatës por jo zgjidhje të saj. Aktualisht ka nisur zbatimi i projektit të ri të Ujësjellësit, i cili parashikohet të përfundojë brenda 5 muajsh. “Situata e ‘Don Boskos’ ka të bëjë me një investim të gabuar, pra kolektori është ndërtuar pa pjerrësinë e nevojshme. Ne kryem një ndërhyrje emergjente vitin e kaluar, për të përmirësuar pjerrësinë dhe kjo solli një ndryshim, sa i përket situatës te ‘Don Bosko’, por nuk është zgjidhja përfundimtare. Për këtë arsye, para një muaji, Ujësjellësi ka angazhuar kontraktorë, për të ndërtuar një kolektor të ri, që është një mëkat, pasi është shpenzim i dyfishtë, por kështu është kur punët bëhen pa cilësi. Unë besoj se kolektori i ri i “Don Boskos” do të jetë në funksionim brenda 4-5 muajve të ardhshëm dhe në këtë mënyrë do të zgjidhet edhe çështja e përmbytjes në 90 për qind të itinerarit të rrugës ‘Don Bosko’”, nënvizoi Kryebashkiaku Basha.
Ndërkohë, pastrimi i Lanës ka bërë të mundur që në një tjetër zonë mjaft problematike në situatë reshjesh, asaj në afërsi të Qytetit të Nxënësve, situata të ishte e normalizuar. Kryebashkiaku Basha informoi mediat se, “pastrimi i shtratit të Lanës nga Bashkia e Tiranës ka dhënë një impakt pozitiv, duke eliminuar përmbytjet që ndodhnin gjithnjë tek zona e Pallatit me Shigjeta dhe pjesa tjetër, ndërkohë që në një situatë të tillë do të ishin përmbytur me sasi të mëdha ujore”. Në terren kanë zbritur menjëherë punonjësit e Ndërmarrjes nr. 1 dhe 2 të Ujësjellës – Kanalizimeve, operatorët e pastrimit, punonjësit e Policisë Bashkiake, inspektorët e Inspektoriatit të Ndërtimit etj, me qëllim rikthimin e situatës në normalitet dhe minimizimin e pasojave nga vërshimi i ujit.

 

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›