E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcimi i euros shtrenjton apartamentet

23/03/2009  Monedha evropiane e mbylli javën me 130.8 lekë në blerje dhe me 131.3 lekë në shitje

Ndërtuesit: Rritja e euros rrit kostot si dhe çmimet e materialeve të ndërtimit

Monedha evropiane ka fituar terren ndaj lekut duke u këmbyer në agjencitë e këmbimit 130.8 lekë në blerje dhe me 131.3 lekë në shitje. Kjo situatë sipas ndërtuesve mund të sjellë një rritje të çmimit të apartamenteve që vlerësohet të jenë mjaft të kushtueshme, sidomos në kryeqytet. Forcimi i euros do të sjellë një rritje të çmimit të blerjes për materialet e ndërtimit, që do të transferohet në rritjen e çmimit të banesave. “Euro mund të jetë tendencë për ngritjen e çmimit të apartamenteve. E para, sepse do të rriten çmimet e materialeve bazë. E dyta, sepse kredia që po japin bankat nuk është më në euro, por është kthyer në lekë. Kështu që në këtë rast do të ketë një fenomen të tillë të ngritjes së çmimeve të shtëpive”, - shprehet Arben Dervishi, përfaqësues i Shoqatës së Ndërtuesve. Bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorin e ndërtimit në vendin tonë kanë kërkuar që të rishikohet vetëm ulja e TVSH-së për banesat që qeveria ka në plan të ndërtojë, si një prej masave që do të zbuste efektet e krizës ekonomike në vendin tonë. Ndërtuesit mendojnë se qeveria duhet të marrë masa konkrete që kjo krizë të mos japë efekte të tejzgjatura në ekonominë e vendit dhe në kurriz të konsumatorëve. Për këtë ata bënë publike një paketë antikrizë. Tashmë 4 mijë apartamente kanë mbetur pa shitur prej 2008-s në Durrës dhe në Tiranë. Monedha e gjelbër amerikane ka shkuar në krahun e kundërt ndërkaq. Dollari e ka mbyllur këtë javë me 96.4 lekë në blerje dhe 97 lekë në shitje. Krahasuar me pak ditë më parë, monedha amerikane ka rënë me rreth 5 lekë, ndërsa euro është forcuar me 1 lekë. Ecuria e kursit të këmbimit po monitorohet nga Banka e Shqipërisë me vëmendje. Institucioni mbikëqyrës ka ndërhyrë herë pas herë duke mbajtur nën kujdes tregun e këmbimit valutor, por jo duke furnizuar me valutë atë.

QKR: Çfarë ndodh me biznesin që nuk deklaron bilancet

Çdo biznes që nuk deklaron bilancet vjetore për dy vjet me radhë kalon në statusin pasiv në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Përveç gjobave që aplikohen nga administrata tatimore, e cila për mosdeklarim të bilanceve në afat aplikon një gjobë prej 100 mijë lekësh të vjetra. Ekspertët e QKR-së bëjnë me dije se çdo subjekt, që kryen regjistrimin fillestar, mbart detyrimin të regjistrojë bilancin vjetor kontabël dhe raportin e auditimit. Ndërkaq, një shoqëri njofton edhe listën e plotë të aksionerëve të regjistruar dhe numrin e përgjithshëm të të gjitha aksioneve të saj. Në rastet e degëve dhe zyrave të përfaqësimit të shoqërive të huaja depozitohet edhe bilanci vjetor i shoqërisë së huaj, i mbajtur sipas standardeve të kërkuara në shtetin e huaj. Çdo subjekt, i cili nuk paraqet për 2 vjet me radhë bilancin kontabël vjetor, sipas parashikimit të nenit 43 të këtij ligji, njoftohet me shkrim nga QKR-ja brenda 30 ditëve nga plotësimi i këtij afati. “Në rast se subjekti nuk plotëson detyrimin brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit, por jo më vonë se 60 ditë nga plotësimi i afatit për paraqitjen e bilancit, subjekti kalohet kryesisht nga QKR-ja në statusin pasiv, me shënimin “PASIV” në të gjitha dokumentet që lëshohen nga regjistri”, - theksojnë ekspertët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›