Përleshje mes militantëve të PD-së dhe PS-së në Sukth
Rivendosja e flamurëve të PS-së në bashkinë e Sukthit degjeneron në dhunë e breshëri armësh.Dy persona, të cilët përcaktohen si mbështetës socialistë, mbetën të lënduar pas përleshjes për vendet e flamurëve. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:20, në vendin e quajtur “Fusha sportive”, në Sukth të Durrësit, ndërsa anëtarë të shtabit elektoral të kandidatit socialist Selami Xhelili kanë qenë duke vendosur flamurët e hequr pak ditë më parë. Nga dëshmitarë në vendin e ngjarjes mësojmë se ka pasur edhe të shtëna armësh kallashnikovë nga një grup të rinjsh, të cilët për rreth 20 minuta kanë terrorizuar të gjithë zonën. Sipas të dhënave të policisë, mbështetësit e PS-së dhe të PD-së janë përplasur me grushte me njëri-tjetrin, ndërsa mësohet se janë shoqëruar në polici 4 persona për të dhënë detaje mbi ngjarjen. Gjatë këtij konflikti kanë mbetur të plagosur dy prej simpatizantëve socialistë, Sokol Bardhi dhe Petrit Balla, të cilët kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Shijakut, për dëmtimet e marra (hematoma në fytyrë), për të vijuar më pas me kallëzimet në polici. “Nga verifikimet e deritanishme rezulton se pas konfliktit, autorët e ngjarjes kanë qëlluar edhe me armë zjarri në drejtim të automjetit kamionçinë me targë DR 2638 D, i cili ndodhej i parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes. Theksojmë se gjatë momentit në fjalë në automjet nuk ndodhej asnjë person”, bëhet e ditur nga policia e Durrësit. Kandidati socialist, Selami Xhelili, tha dje se simpatizantët e PS-së janë kërcënuar me breshëri kallashnikovi dhe pistolete. Ndërsa konfirmon se gjatë konfliktit, dhjetëra të rinj janë goditur me bajonetë, me qytën e automatikut, me sende të tjera të forta dhe për këtë ngjarje ai akuzon rivalin e tij, Sherif Fortuzi, i cili vjen nga radhët e PDIU-së dhe kandidon nën siglën e “Aleancës për qytetarin”. Ky i fundit, i kontaktuar me telefon, ka hedhur poshtë akuzat e kandidatit socialist me argumentin se nuk ka asnjë lidhje me grupin e të rinjve që kanë ndezur konfliktin e djeshëm. Në vendngjarje kanë mbërritur dhe deputetët e PS-së, Gazmir Bizhga dhe Namik Dokle. “Kjo është një tjetër përpjekje për të penguar fushatën e PS-së. Ka ndodhur ajo që po ndodh në disa zona të veçanta ku PD ka dominuar dhe ku po e ndien që po humbet. Ka filluar e ashtuquajtura lufta e flamujve, por realisht është presion që u bëhet banorëve. Simpatizantët e PS-së kërkojnë zbatimin e Kodit Zgjedhor për vendosjen e posterave dhe flamujve. Ata të PD-së kanë dalë me armë në duar dhe kanë kërcënuar me breshëri kallashnikovi dhe me pas i kanë goditur me mjete të forta”, e ka përshkruar incidentin Dokle. Nga ana e saj, policia ka pohuar se në vendin e ngjarjes kanë shkuar drejtues të Drejtorisë së Policisë së qarkut Durrës, të strukturës për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe një grup hetimor, të cilët po kryejnë verifikimet dhe veprimet e nevojshme procedurale, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Precedentët në Sukth
Vetëm tri ditë më parë ka ndodhur një tjetër incident në Bashkinë e Sukthit, ku persona të paidentifikuar dëmtuan posterat e kandidatit socialist dhe hoqën flamujt e vënë jo vetëm pranë zyrës elektorale të Partisë Socialiste, por dhe në zonën përreth. Nga ana e PS-së lokale pohohet se ngjarjet nisën në fillim të muajit, me rrahjen e mbështetësve të tyre, por, sipas policisë së Durrësit, nuk ka pasur denoncim për dhunë.
SUKTH/ LEONIDHA MUSAJ