E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcimi i shtetit, Krasniqi merr mbështetjen e Tiranës

09/04/2010 Presidenti dhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë presin kreun e Kuvendit të Kosovës

Topi-Topalli: Pavarësia dhe njohja e Kosovës është e pakthyeshme

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje paradite Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe delegacionin që e shoqëron, gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Kreu i shtetit vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Duke shprehur vlerësimin për ecurinë e zgjedhjeve lokale në Kosovë, Presidenti Topi tha se ato konfirmuan pjekurinë dhe vizionin largpamës të udhëheqjes politike dhe shoqërisë kosovare. Kryetari i shtetit inkurajoi frymën e tolerancës dhe të vullnetit për bashkëpunim që është evidentuar në marrëdhëniet me pakicat, sidomos me serbët e Kosovës, për ndërtimin dhe funksionimin sa më të mirë të një shteti demokratik dhe multietnik. Bashkëbiseduesit vlerësuan përkushtimin e dy vendeve ndaj vlerave dhe aspiratave të përbashkëta euroatlantike, të cilat përbëjnë një platformë të sigurt për zgjerimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Nga ana e tij, Krasniqi vlerësoi përpjekjet e institucioneve shqiptare në funksion të konsolidimit të pavarësisë, por vërejti se Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë në procesin e forcimit të shtetit të ri dhe njohjes në arenën ndërkombëtare. Ai gjithashtu garantoi bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të Prishtinës dhe atyre të Tiranës, në funksion të aspiratave të përbashkëta integruese evropiane. Krasniqi u prit edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, të cilën e ftoi për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Pavarësia

“Pavarësia dhe njohja e Kosovës është e pakthyeshme”. Ka qenë kjo garancia e dy drejtuesve të shtetit për kreun e Kuvendit të Kosovës. Presidenti Topi dhe Kryeparlamentarja Topalli siguruan se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën politikisht në arenën ndërkombëtare që më shumë vende ta njohin atë, por dhe në forcimin e rritjen e institucioneve të saj, si objektiv thelbësor për konsolidimin e Kosovës si vend i pavarur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›