E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula 1- Fetel ka fituar mimin e Madh te Korese

Sebastian Fetel ka fituar Çmimin e Madh të Koresë në Formula 1 dhe njëkohësisht është bërë lideri i ri i kampionatit botëror. Piloti gjerman i Red Bullit u nis nga vendi i dytë dhe përfundoi në krye duke fituar 25 pikë të tjera dhe duke qenë tani 6 pikë para Alonsos në renditjen e këtij sezoni. 
Para se të niste gara koreane, ishte Alonso që kishte 4 pikë epërsi ndaj kampionit të botës në fuqi.
Fetel bëri një nisje të shkëlqyer duke lënë menjëherë prapa shokun e tij të skuadrës, Ueber dhe duke e mbajtur kryesimin e garës nga fillimi deri në fund.
Alonso, piloti i shkëlqyer i Ferrarit u përpoq të bënte gjithçka duke u mbrojtur mirë në start nga sulmet e Hamiltonit dhe të konkurrentëve të tjerë, por makina e tij nuk ishte aq e shpejtë sa ai të sulmonte dy makinat Red Bull.
Meklaren Mercedes u paraqit shumë keq në Kore, pasi Baton doli nga gara që në xhiron e parë, i goditur nga një makinë tjetër, ndërsa Hamilton u rendit vetëm në vendin e 10-të.
Kjo ishte fitorja e tretë radhazi e Fetelit dhe pikërisht kjo seri suksesesh bëri që ai të kalonte Alonson në renditje, ndërsa vetëm pak javë më parë kjo gjë dukej e pamundur.
Kur duhen edhe 4 gara deri në përfundim të kampionatit botëror, Fetel ka 215 pikë në renditje, ndërsa Alonso ka 209. Tashmë titulli kampion është çështje vetëm e këtyre të dyve, pasi Kimi Raikonen që ndodhet në vendin e tretë ka vetëm 167 pikë. 
Fetel është kampion i botës në dy sezonet e fundit dhe tashmë është favorit për ta fituar titullin e tretë radhazi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›