E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula 1, Hamilton fiton në Kinë

Nga Altin Latifi
Britaniku Ljuis Hamilton ka fituar Cmimin e Madh të Kinës, duke bërë një hap të sigurt drejt titullit kampion bote. Piloti britanik vuri në rresht dy makinat Ferrari, me Kimi Raikonen që i hapi rrugën Felipe Masës në fund. Pas kësaj gare, Hamilton udhëheq renditjen me 7 pikë më shumë se Masa. 

Ljuis Hamilton është vetëm një hap larg titullit të parë kampion bote në Formula 1, pasi arriti të fitonte Çmimin e Madh të Kinës. Falë një strategjie dhe garimi perfekt, piloti britanik i MekLaren është shkëputur në 7 pikë nga rivali i tij kryesor Felipe Masa, kur mbetet për t’u zhvilluar edhe gara e Brazilit pas dy javësh. Hamilton u nis nga pole-position dhe arriti të dominonte në Shangai, aty ku një vit më parë gaboi dhe humbi titullin. Tashmë Hamilton i mjafton vetëm një vend i pestë në Inter Lagos për të qenë ai kampioni më i ri i botës.
Ndërkohë, braziliani Felipe mbajti gjallë shpresat për titull, duke zënë vendin e dytë, pasi shoku i tij i skuadrës Kimi Raikonen i hapi rrugën. Piloti i Ferrarit pavarësisht se ka grumbulluar 87 pikë deri tani, duket se nuk ka ende stofin e kampionit. Në Shangai, Masa nuk arriti asnjëherë të ishte agresiv dhe të vinte në dyshim fitoren e rivalit të tij. Vendi i tretë i takoi Kimi Raikonen, që merr 6 pikë të rëndësishme në luftën për kampionatin e konstruktorëve, ndërsa pas tij u renditën Fernando Alonso, Nik Haidfeld dhe Robert Kubica.
Pas Çmimit të Madh të Kinës, Botërori i Formula 1 tashmë është drejt fundit, duke mbetur vetëm gara e Brazilit. Tifozët e këtij sporti do të njihen me kampionin e ri të botës, që duket se do të jetë britaniku Hamilton. Ai ka 94 pikë, 7 më shumë se Felipe Masa i Ferrarit.
(a.s/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›