Një kartolinë për Presidentin Topi
Autori i Lajmit: Nga Zamir AlushiDuke dashur të gjejmë një mesazh për një kartolinë drejtuar Presidentit Topi, shfletuam arkivin dhe u ndalëm te fjalimi i tij më 19 dhjetor 2009. Na bën përshtypje, analiza që i bënte situatës, nisur nga pozicioni i kreut të KLD-së. Zgjedhjet ishin një nga prioritetet e drejtësisë. “Zgjedhjet politike të vitit 2009 konsiderohen më të rëndësishmet e periudhës së re demokratike në Shqipëri për ti dhënë fund njëherë e mirë këtij tranzicioni, i cili sikurse ju e dini fare mirë ka qenë i mbushur me zgjedhje, me kontestime, me implikime të karakterit ligjor padiskutim dhe të kolegjeve zgjedhore të sistemit të drejtësisë, çka do të thotë që rezultati jo gjithmonë është pranuar nga strukturat administrative, që përcakton ligji”- tha Presidenti Topi.
Zgjedhjet dështuan, pra edhe drejtësia dështoi të japë drejtësi. Topi është kthyer sërish në fushën e Presidentit.
Përpara tij nuk ndodhet një lojë shahu për tu mbaruar, siç përfytyrohen njerëzit me skeptër, por një betejë e ashpër politike që ka nisur në fillim të këtij viti, gjatë së cilës ia doli të rrijë mbi palët duke soditur me tejqyrë në sy. Tashmë Vaterlosë sonë politike i ka ardhur fundi. Skalionet dhe kuadratët janë prishur, të dy palët të plagosura dhe të lodhura presin korrierin e ndihmës që pritet nga një i tretë. Në fakt shenjat janë se nuk do të ketë një skemë klasike, nga ato me të cilat Hygo shpjegon rënien e Bonopartit. Ndërkombëtarët, (të tretët), nuk do të ndërhyjnë, ata thjesht këshillojnë dialogun.
Lypset që presidenti të lëviz gurët e tij. Tashmë, “vullnetet politike” (një shprehje e përdorur nga Presidenti) të dy partive, janë përcaktuar për dialog, megjithëse secila vë kushte. Tani radha e Presidentit.
Zoti Topi është në këtë fundviti në majë të toplistës së politikanëve ndaj të cilëve është e madhe pritshmëria e publikut, e partive, e vendeve perëndimore mike, për zgjidhjen e krizës. Eshtë krizë politike e shkaktuar nga opozita me bojkotin e saj, me epiqendër Kuvendin, por rrathët e tronditjes dalëngadalë kanë prekur ekzekutivin, drejtësinë dhe vetë Presidentin, që është në majë të piramidës shtetërore. Duke iu kthyer fjalimit të presidentit në KLD në fillim të këtij viti, vërejmë se politika i ka sjellë dëme drejtësisë. Eshtë evidente ndarja e gjyqtarëve në dy grupe me prapavijë politike, të cilat (në mungesë të ligjit të bllokuar nga bojkoti i opozitës) kërkojnë, njëra mbledhjen e Konfrencës Gjyqësore pa ligj, tjetra kërkon të bëhet më parë ligji. Kjo bëhet me qëlim që të zihen vendet që lirohen në KLD, ku maxhoranca kërkon të zhvendosë balancën në favorin e saj. Ka edhe shumë fakte, që tregojnë se reforma në drejtësi ka ngecur. Një sërë ligjesh nuk bëhen pa opozitën dhe perceptimi i publikut për korrupsionin në drejtësi është përkeqësuar. Cfarë do të bëjë presidenti? Akoma në pozicionin e mosndërhyrjes?
Ndërkaq opozita e ka shprehur hapur se parapëlqen Zotin Topi si arbitër të bisedimeve me maxhorancën. Janë dy letra zyrtare ku shprehen ankesat e PS-së për zgjedhjet dhe kërkohet ndërhyrja e Presidentit për mbrojtjen, sipas saj, të Kushtetutës dhe një takim i realizuar ndërmjet e tij dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama. Më pas, maxhoranca ka zbutur tonet dhe është shprehur madje edhe për nevojën e një takimi mes dy liderëve.
Mosangazhimi e vështirëson shumë pozicionin e kreut të shtetit, i cili po sheh se si bien një e nga një shtyllat ku mbahet edhe vetë autoriteti i tij. Në fillim të Vitit të Ri, Presidenti Topi do të mbajë disa fjalime, një para trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, një para KLD-së dhe një para deputetëve. Aty do të mësojmë qëndrimin e ri të Presidentit për kryesfidën e vitit 2010, që është zgjidhja e krizës. I urojmë Zotit Topi në Vitin e Ri 2010 të kryejë misionin jo të pamundur të mbrojtjes së Kushtetutës.
Ky lajm është publikuar: 24/12/2009