Fullani: “2010-a e vështirë, deficiti buxhetor i lartë”
Autori i Lajmit: RedaksiaBanka e Shqipërisë sheh me shqetësim tkurrjen e kreditimit për bizneset dhe qytetarët. Për të disatën herë radhazi, Guvernatori Fullani u ka bërë apel bankave të nivelit të dytë të mbështesin financiarisht ekonominë e vendit si një mënyrë për të garantuar rritjen e mëtejshme të saj.
Deficiti buxhetor
Shqetësues për institucionin më të lartë monetar mbetet, deficiti buxhetor. Por, përtej krizës politike, ecuria jonë ekonomike do të jetë e varur nga ajo greke, pasi me këtë vend volumi i tregtisë mban një peshë specifike, bankat greke mbizotërojnë në Shqipëri si dhe për shkak të nivelit të lartë të emigrantëve shqiptarë në vendin fqinjë. “Duhet thënë se efektet e krizës ekonomike greke do të përcillen edhe këtu tek ne, por është ende herët të themi se sa do të jetë niveli i saj”- u shpreh Fullani. Banka e Shqipërisë vlerëson se në një periudhe afatmesme, ekonomia nuk rrezikohet nga inflacioni. Ndaj Këshilli Mbikëqyrës i këtij institucioni ka mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit të lekut duke e lenë atë në nivelin e 5.25%.
Viti 2010
Banka e Shqipërisë konstaton, se muajt e fundit nuk kanë qenë të mbarë për qeverinë, pasi janë vërejtur tendenca ngadalësuese ekonomike, si pasojë taksat dhe tatimet nuk janë mbledhur në nivelin e duhur. Shqetësimi kryesor mbetet zgjatja e kësaj situate edhe në vitin e ardhshëm. Pyetjes nëse ka dhënë efekt kriza politike në ekonominë e vendit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani përgjigjet. “Besoj se fundviti do të mbyllet në objektivat e parashikuara, zhvillimet në muajin nëntor janë shumë të rëndësishme për të përcaktuar bazat e muajve të ardhshëm, por mendimi i Bankës së Shqipërisë është se duhet bërë kujdes i veçantë në tre-mujorin e parë të vitit 2010”. Sipas Fullanit, gjatë muajve të fundit politika fiskale ka vijuar me tendencën e saj ekspansioniste, ku të ardhurat kanë pësuar rënie, si pasojë e rënies së TVSH-së dhe Tatim-Fitimit, por nga ana tjetër kanë vijuar shpenzimet e larta buxhetore.
Kreditimi
“Aktiviteti kreditues i bankave është ngadalësuar duke shënuar një rritje vjetore të portofolit të kredisë prej rreth 12% . Kredia për bizneset mban gjithmonë peshën kryesore në zgjerimin e portofolit të kredisë ndërkohë që kredia konsumatore dhe hipotekore janë kontraktuar. Nivelet e ulëta të zgjerimit të portofolit të kredisë reflektojnë jo vetëm problemet e likuiditetit në sektorin bankar por së fundi në një masë të madhe edhe rënien e kërkesës për konsum dhe investime si rrjedhojë e dobësimit të aktivitetit ekonomik të vendit” shpjegoi Fullani. Apeli i Bankës së Shqipërisë duket se do të dëgjohet nga bankat e nivelit të dytë. Përfaqësuesit e sistemit bankar deklarojnë se kreditimi do të rritet gjatë periudhës në vijim duke u orientuar në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë si ndërtimi, turizmi energjetika dhe agroindustria. Përfaqësuesit e sistemit bankar ashtu si dhe Guvernatori Fullani vlerësojnë rritjen e nivelit të depozitave çka tregon për një rikthim të besimit të qytetarëve në sistemin bankar vendas.
Ky lajm është publikuar: 24/12/2009