E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula 1 ne Bahrein do te zhvillohet sipas programit

Nuk janë ndalur nga trazirat politike në vend, nga shtypja e përgjakshme e protestave nga ana e pushtetit dhe nga bomba që plagosi plot 7 policë. Formula 1 i ka dhënë dritën jeshile Çmimit të Madh të Bahreinit që do të zhvillohet javën e ardhshme në këtë vend të Gjirit Persik dhe që ishte në dyshim.

Pilotët nuk kanë dashur të bëjnë komente lidhur me këtë vendim dhe Felipe Masa i Ferrarit u mjaftua të thoshte se “ne do të shkojmë në Bahrein”.

Anglezi i Meklaren Mercedesit, Ljuis Hamilton, u tregua edhe më i rezervuar duke thënë thjesht se “unë po mendoj për garën e kësaj fundjave”. Kjo, sepse tashmë ka nisur Çmimi i Madh i Kinës në Shangai ku Mikael Shumaker i ka habitur të gjithë duke dalë i pari në provat e lira.

Ndërkaq, kampioni i botës në fuqi, gjermani tjetër Sebastian Fetel, ka thënë se nuk ndjen shqetësime për Bahreinin, përderisa drejtuesit e Formula 1 e kanë quajtur gjendjen si jo të rrezikshme. Pra, Bahreini do të mbetet në kalendar pasi bosi i Formula 1, Berni Ekëlstoun u shpreh se “jam 200 për qind i sigurt se atje nuk do të ketë asnjë rrezik”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›