Erkand Qerimaj, Kampion i Europës

Erkand Qerimaj
Erkand Qerimaj u shpall mbrëmë Kampion i Europës në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, që po zhvillohet në Antalia të Turqisë. Shqiptari 24-vjeçar, i drejtuar nga trajneri Zef Kovaçi, ngriti 348 kg në dygarësh, duke zënë vendin e parë dhe duke marrë medaljen e artë në peshën deri në 77 kg. Qerimaj ngriti 190 kg në stilin e shtytjes, duke vulosur titullin, ndërsa mori medaljen e arit edhe në këtë stil. Në stilin e parë, atë të shkëputjes, shkodrani ngriti 158 kg, duke zënë vendin e dytë dhe duke marrë medaljen e argjendit. Peshëngritësi tjetër shqiptar, Hysen Pulaku, zuri vendin e 6-të në dygarësh, pasi ngriti 336 kg. Pulaku doli i 7-ti në shkëputje dhe i 7-ti në shtytje, duke ngritur përkatësisht 151 e 185 kg, duke realizuar gjithsej vetëm dy prova të suksesshme. Nënkampion i Europës në dygarësh u shpall rumuni Razvan Martin, që ngriti një kg më pak sesa Qerimaj, pra 347 kg. Martin doli i pari dhe mori medaljen e artë në shkëputje me 159 kg, por dështoi në dy prova në shtytje, duke ngritur 188 kg. Në vendin e tretë në Europë doli peshëngritësi nga Moldova, Aleksandru Dudoglo, me 344 kg në dygarësh, ndërsa ngriti 158 kg në shkëputje (po aq sa Qerimaj, por zuri vendin e tretë për peshë trupore më të madhe), ndërsa ngriti 186 kg në shtytje. Qerimaj bëhet i pari peshëngritës shqiptar që fiton medaljen e artë dhe titullin e Kampionit të Europës në dygarësh në historinë e këtij sporti.