Te Partizani ngrihen tonet në stërvitje, stafi kërkon mobilizim
Duket se të kuqtë e kanë marrë lehtë Tepelenën, gjë e cila ka detyruar stafin të ndërhyjë dhe të kritikojë sjelljen e lojtarëve
Nga ILIR CARA
Në kulmin e përgatitjeve për ndeshjen me Tepelenën, te Partizani vjen momenti që ngrihen tonet në stërvitje. Kjo sfidë e së dielës, që do të luhet në Selman Stermasi, ka shumë rëndësi për Demat e kuq, pasi përballë kanë një rival direkt, kështu që fitorja ka vlerë dyfish për objektivin. Por duket se lojtarët e kanë marrë më lehtë se duhet këtë takim, pasi në seancën e djeshme ka pasur një debat mes stafit teknik dhe grupit. Në kohën që futbollistët po zhvillonin një ndeshje kontrolli brenda grupit, është parë që lojtarët më shumë diskutonin dhe shkëmbenin fjalë njëri me tjetrin sesa përqendroheshin tek përgatitjet. Kjo gjë e ka acaruar stafin dhe ka qenë trajneri Marko Pelinxhi që ka ndërprerë ndeshjen dhe ka kryer një seancë morali ndaj sjelljes së futbollistëve. Trajneri u ka kujtuar se ndodhen përballë një ndeshje mjaft të vështirë dhe kërkohet mobilizim maksimal nga të gjithë dhe të mos kalohet java në mënyrë fakultative. Për stafin nuk ka rëndësi emri i lojtarit apo e shkuara e tij, por ajo çfarë ata janë të gatshëm të japin për ekipin në këtë pjesë të mbetur, që Partizani të ngjitet në kategorinë e parë në fund të sezonit.
Sponsori Përsa i përket gjetjes së një sponsori për pjesën e mbetur të sezonit, dje gjërat kanë qenë më të qarta dhe konkrete. Një ditë më parë u tha se sponsori do të ishte kompania Fiat që operon në Shqipëri. Këto zëra janë përfocuar më shumë, pasi konfirmohet se kjo kompani do ta ndihmojë Partizanin, por ende nuk bëhen publike detajet. Pra, me shumë gjasa, ndaj Tepelenës për të kuqtë do të kenë një premio shtesë, shumë kjo që pritet të jepet nga kompania në fjalë. Por se sa do të jetë kjo shumë, pritet të mësohet para sfidës me Tepelenën.
