E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blindohet Korça, 200 policë për sigurinë

Luhet ndeshja më e rëndësishme e sezonit, ndaj edhe siguria është në maksimum. Në këtë kontekst, nga Policia e Rendit në qarkun Korçë mësohet se janë marrë të gjitha masat për zhvillimin sa më normal dhe pa asnjë incident të këtij takimi. Nëse në një ndeshje normale numri i policëve në stadium dhe jashtë tij për ruajtjen e qetësisë nuk e kalon 100, për ndeshjen e mbrëmjes së nesërme Korça pritet të blindohet. Më shumë se 200 policë do të patrullojnë kryesisht në rrethinat e stadiumit dhe brenda tij, për të vendosur rregull dhe për të mos lejuar incidente. Ndërsa nga ana e klubit Skënderbeu janë shpenzuar edhe parà shtesë për sigurinë e stadiumit për këtë ndeshje. Fatura financiare duket se është shumë e lartë, e cila shkon deri në 100 mijë euro. Rreth 20 kamera janë instaluar në të gjithë hapësirën e stadiumit, ndërkohë që dy prej këtyre kamerave vëzhguese kanë një fokus 360 gradë të pamjes së tyre. Ndërkaq, monitori kryesor i kamerave, i vendosur në brendësi të zyrave të klubit korçar, do të jetë nën vëzhgimin e drejtorit administrativ të klubit, Thoma Grabocka, një përfaqësuesi të Policisë së Shtetit, si dhe një tjetër specialisti, që do jetë përfaqësues i firmës që merret me administrimin e stadiumit për çdo ndeshje. Për herë të parë këto kamera do të vihen në funksion, ndërsa është bërë dhe prova e tyre, e cila është kaluar me sukses.

FSHF: Ska gjyqtarë të huaj në Korçë
Sfida e nesërme në Korçë do të arbitrohet nga një treshe arbitrash shqiptarë. Lajmi është mësuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila hodhi poshtë dje kërkesën e KF Tirana për arbitra të huaj. Sipas zyrtarëve të FSHF-së, kërkesa e Tiranës është shumë e vonuar në kohë, pasi përveçse duhej të ishin kontaktuar federatat e huaja homologe, duhej të ishte bërë edhe pagesa për këta arbitra. Ndërkohë, nga informacionet pranë dy klubeve thuhet se është rënë që dje dakord për një arbitër shqiptar, i cili me shumë gjasa do jetë njëri prej ndërkombëtarëve që ka në dispozicion federata dhe, çështë më e rëndësishme, i pranueshëm nga të dyja palët.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›