E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klicko ne burse

Pasi Vitali fitoi ndeshjen ndaj një kundërshtari të vështirë dhe aspak elegant, është radha e të vëllait. Vladimir Kliçko do të mbrojë titujt e tij WBA, WBO, IBF dhe IBO në peshat e rënda të boksit profesionist duke pasur përballë amerikanin Toni Tompson, ndërsa më parë ai bën spektakël duke çelur ditën e punës në bursën e NASDAQ-it në Nju Jork. 

“Është shumë emocionuese që jam këtu dhe mendoj se këto ditë është mirë që ekonomia botërore të marrë nxitje nga një kampion i boksit dhe shpresoj që ky sinjal i ziles ta shpëtojë ekonominë. Kjo është dëshira ime. Kush e di si shkojnë punët, por është e drejtë të kesh ëndrra dhe ato të realizohen. Dua që NASDAQ të ecë mirë dhe po ashtu unë të jem mirë në ndeshjen për të mbrojtur titujt e mi”, u shpreh ai. 

Tani le të kalojmë tek ndeshja me Vladimirin që e vlerëson shumë sfidantin e tij.

“Toni Tompsonin e njoh pasi jam ndeshur edhe më parë me të dhe ishte një ndeshje shumë e vështirë. Mendoj se ai është përmirësuar edhe më shumë dhe jo më kot është sfidanti im zyrtar. Duhet të mbroj titujt ndaj tij më 7 korrik. Po e pres ndeshjen me shumë interes dhe ai do të më japë një betejë të vërtetë. Ai është po aq shtatlartë sa unë dhe është mëngjarash, por unë mendoj se do të fitoj, ashtu si gjithmonë”, deklaroi Kliçko.

Ukrainasi shpreson të ruajë edhe më tej sundimin e peshave të rënda të boksit profesionist nga familja, pra nga ai vetë dhe vëllai i tij, Vitali.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›