E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula 1,Veber triumfon në Cmimin e Madh të Spanjës

BARCELONE- Mark Veber me Red Bull ka triumfuar në çmimin e Madh të Spanjës, lënë pas Fernando Alonson dhe shokun e tij të skuadrës Sebastian Fetel. Në cirkuitin e Barcelonës nuk ka pasur shumë histori, pasi piloti australian nuk është shqetësuar aspak nga rivalët e tij. I nisur nga pole-positioni, Veber mundi të ruajë për 66 xhiro kryesimin dhe në fund ka marrë 25 pikë që e ngjisin në vendin e katërt në Botërorit të Formula 1.

Ndërkohë, Fernando Alonso zuri vendin e dytë, duke përfituar edhe nga problemet e Ljuis Hamilton, që braktisi garën vetëm 2 xhiro para fundit për një problem në makinë. 18 pikët e marrë në Barcelonë e çojnë në vend të dytë pilotin e Ferrarit, vetëm 3 pikë larg kryesuesit Xhenson Baton. I treti në Spanjë u rendit Fetel, ndërkohë që menjëherë pas tij Mikael Shumaker. 7 herë kampioni i botës ka treguar një formë të mirë gjatë gjithë fundjavës, duke dhënë shenjat se ai është rikthyer të jetë kompetitiv. Shumaker mundi të lërë pas kryesuesin e Botërorit Xhenson Baton dhe pilotin e Ferrarit Felipe Masa. Mes gjermanit dhe pilotit të MekLaren u zhvillua një nga betejat më të bukura, por Shumi u tregua i zoti duke mos e lejuar Baton të parakalonte. Pas kësaj gare, kampionati i Formula 1 kryesohet nga Baton me 70 pikë, i ndjekur nga Alonso me 67 dhe Fetel me 60.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›